Ballina Lajmet Kosovë Para deputetëve Thaçi tregoi të bëmat nga posti i Presidentit

Para deputetëve Thaçi tregoi të bëmat nga posti i Presidentit

Në fjalimin e tij vjetor para përfaqësuesve të popullit që me vota e zgjodhën për president të vendit në shkurt të këtij viti, Hashim Thaçi ka raportuar punën e tij gjatë vitit të parë në mandatin e kryetarit të shtetit.

Ai ka numëruar të bëmat e tij, duke radhitur aty si prioritare përparësinë që i ka dhënë zbatimit të ligjit në Kosovë dhe luftimit të korrupsionit de reformën zgjedhore.

“Vendi ynë ka kushtetutën dhe legjislacionin më të avancuar në rajon, por ne kemi evidentuar disa mangësi dhe kam kërkuar që t’i shmangim ato, dhe të mos e lejojmë aski të abuzojë me ligjin në Kosovë. Kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të veprojë. I vetëdijshëm për progresin që drejtësia ka shënuar në Kosovë, nga largimi i kompetencave të Eulex-it kam kërkuar të zgjidhen çështjet e shumta që kanë të bëjnë me drejtësinë. Të gjithë duhet ta kuptojmë se drejtësia nuk njeh kufizim, kohor apo etnik”.

“Reforma elektorale, siguron qytetarët e Kosovës se ata do të votojnë në zgjedhje korrekte dhe fer. Vota e tyre nuk do të keqpërdoret. Ekipi im ka kryer punën e tij, dhe mbetet në duart e deputetëve që propozimet që kanë rrjedhe nga partitë politike, shoqëria civile e partnerët ndërkombëtarë, të shndërrohen në vendime të Kuvendit”, ka thënë Thaçi.

Gjatë këtij fjalimi ku përmblidhte punën e tij pothuajse një vjeçare, Thaçi po ashtu ka deklaruar se muri i ndërtuar në mes të qytetit të Mitrovicës, që nganë pjesën veriore nga ajo jugore, do të hiqet nga aty.

“Muri nuk do të qëndrojë aty e askund tjetër, as nuk do të shkurtohet e as zgjatet, ai nuk do të ekzistojë, do të hiqet nga baza”.

Si arritje të vetën, Thaçi e ka listuar edhe takimin me Papa Françeskun në Vatikan, për të cilin thotë se e ka ftuar të vijë në Kosovë, e ai e ka pranuar thirrjen e tij.

“Në Vatikan kam pasur takim me Atin e Shenjtë, të cilit ia konfirmova se Kosova është e orientuar drejt vlerave euro-atlantike. E kam ftuar për vizitë dhe ai e ka konfirmuar se do të vijë kur të jetë e përshtatshme”, ka deklaruar Thaçi.

Exit mobile version