Elementë të kartelit, akses në softuerë spiunazhi të ngjashëm me programin Pegasus
Vdekja e Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes më 22 shkurt, gjatë një operacioni të forcave speciale në Tapalpa, hapi një kapitull të errët mbi origjinën e fuqisë së kartelit Jalisco (CJNG).
Përtej fundit të liderit, operacioni ekspozoi një rrjet të sofistikuar të ekspertizës së huaj që ndihmoi në ndërtimin e një ushtrie të mirëfilltë krimi. El Mencho nuk u mbështet vetëm te forca brutale, por te disiplina paraushtarake.
Një element kyç që ka alarmuar inteligjencën amerikane është përdorimi i taktikave të “luftës asimetrike”, të cilat i ngjajnë shumë operacioneve të njësive elitare në Lindjen e Mesme.
Dëshmitë e mbledhura nga dezertorët e CJNG-së, si ish-rekruti “Francisco”, konfirmojnë praninë e instruktorëve izraelitë në kampet e Jaliskos. Sipas tij, këta instruktorë nuk jepnin vetëm mësime qitjeje, por mësonin strategji të lëvizjes taktike, mbrojtjen e perimetrit dhe përdorimin e dronëve për sulme shumë të sakta.
Këto metoda, të panjohura më parë për kartelet tradicionale, i lejuan CJNG-së të mposhtte njësitë e policisë federale në prita të koordinuara. Një fakt tjetër shqetësues është prania e teknologjisë izraelite të vëzhgimit.
Raportet sugjerojnë se elementë të kartelit kanë pasur akses në softuerë spiunazhi të ngjashëm me Pegasus, të përdorur për të përgjuar komunikimet e rivalëve dhe zyrtarëve të lartë.
Gjithashtu, midis viteve 2006-2018, Izraeli i shiti Meksikës mbi 24.000 armë. Hetimet pas vdekjes së El Mencho-s zbuluan se një pjesë e këtyre armëve, përfshirë pushkët e sulmit Tavor (IWI), kishin përfunduar në duart e njësive elitare të CJNG-së, shpesh përmes kompanive private të sigurisë që shërbejnë si mbulesë për trafikun e armëve.
Ky bashkëpunim i dyshuar i ka rrënjët në precedentin e viteve 1980, kur ish-koloneli izraelit Yair Klein trajnoi Kartelin Medelin. Ashtu si atëherë, qeveria izraelite distancohet, duke ia faturuar këto aktivitete mercenarëve privatë ose oficerëve në pension që shesin dijet e tyre te ofertuesi më i lartë.
Pavarësisht eliminimit të El Menchos, “makina” që ai ndërtoi mbetet funksionale. Ekspertët paralajmërojnë se fragmentimi i kartelit do të jetë i përgjakshëm, pasi fraksionet zotërojnë tani të njëjtën ekspertizë ushtarake të huaj që dikur i bëri ata të pathyeshëm. /tesheshi
