Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër dy personave, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë dhunuar një të mitur, më 27 gusht, në kryeqytet.
“Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Gjykata thotë se duke marrë parasysh peshën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale “ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”.
Në raportin 24 orësh të datës 29 gusht të Policisë së Kosovës thuhet se “ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur [dhunim] ndaj viktimës femër kosovare”.
Sipas raportit, viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. /rel