Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Paralajmërim për përmbytje të reja në Kenia, numri i viktimave arrin në...

Paralajmërim për përmbytje të reja në Kenia, numri i viktimave arrin në 62

Autoritetet në Kenia kanë paralajmëruar për reshje të reja të dendura dhe përmbytje të mundshme, ndërsa numri i viktimave nga shirat e rrëmbyeshëm ka arritur në 62.

Sipas Departamentit Meteorologjik, disa zona të vendit mund të përballen ende me reshje të forta dhe përmbytje të shpejta, ndërsa vendi ndodhet në fazën e hershme të sezonit të reshjeve të gjata.

Ministria e Brendshme dhe Administratës Kombëtare bëri të ditur se Najrobi ka regjistruar numrin më të madh të viktimave. Sipas të dhënave zyrtare, mes viktimave janë 46 burra, tetë gra dhe tetë fëmijë.

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë përmbytur rrugë, shtëpi dhe biznese në disa lagje të kryeqytetit.

Edhe rajone të tjera të vendit kanë raportuar viktima. Rajoni Lindor ka regjistruar 17 të vdekur, ndërsa në rajonin Rift Valley janë raportuar shtatë viktima.

Ndërkohë, dy persona kanë humbur jetën në rajonin Nyanza, dy të tjerë në zonën bregdetare dhe një në rajonin Qendror.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ekipet e emergjencës dhe agjencitë qeveritare janë në terren për të ndihmuar familjet e zhvendosura dhe për të koordinuar operacionet e shpëtimit dhe ndihmës.

Banorëve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, veçanërisht pranë lumenjve dhe në zonat e ulëta, u është kërkuar të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë. /mesazhi

Exit mobile version