Më shumë se 27 vjet pas krimit të kryer mbi familjen Jashari në Prekaz nga okupatori serb, Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të finalizojë së shpejti aktakuzën ndaj autorëve të dyshuar.
Nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar me prioritet, ndërsa paralajmërimi për aktakuzë po mirëpritet nga njohës të drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe familjarë të viktimave, ndonëse vlerësohet si i vonuar.
Nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, thotë se një aktakuzë e tillë është e nevojshme për të argumentuar në mënyrë institucionale krimet e kryera në Kosovë, veçanërisht ndaj familjes Jashari.
Sipas njohurive të Odës, Prokuroria ka siguruar prova, ndonëse avokatët sipas ligjit do të mbrojnë të akuzuarit në mungesë.
Ai tha se Prokuroria Speciale duhet të lëshojë letër ndërkombëtarë, kudo që ndodhen të akuzuarit, që të gjykohen për krimet që kanë bërë.
“Është një lajm i mirëpritur, i domosdoshëm për të argumentuar në mënyrë institucionale krimet që janë bërë në Kosovë e kryesisht në familjen Jashari. Ndonëse kjo është paska e vonuar, ne kemi njohuri që Prokuroria ka siguruar prova, sepse kemi shumë avokatë të angazhuar sipas detyrës zyrtare edhe pse ata duhet të mbrojnë dhe përfaqësojnë disa të akuzuar në mungesë, duhet të bëjnë punën e tyre, janë zë i të akuzuarve por mbi të gjitha ata mbrojnë drejtësinë, mbrojtja është e detyrueshme.. Do të duhej të ishte shumë më parë një aktakuzë e tillë, krimet e luftës janë raste që nuk parashkruhen dhe prapë është një thënie më mirë vonë sesa kurrë dhe më parë nuk kemi pasur edhe legjislaturë për këtë çështje, për gjykim në mungesë, tani kemi mundësi, vetëm se nevojitet angazhim më i madh i prokurorisë në gjykata, të lëshoj letër ndërkombëtare që kudo që ndodhen ata që kanë bërë krime të gjykohen dhe ta marrin vendimin e merituar”, tha Rudari.
Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha se pas hyrjes në fuqi të gjykimeve në mungesë, Prokuroria Speciale ka nisur ngritjen e aktakuzave për krime lufte.
Sipas tij, çdo aktakuzë dhe proces penal për krimet e luftës është i mirëseardhur, pasi viktimat presin drejtësi tash e mbi 27 vjet.
“Pas hyrjes në fuqi të gjykimeve në mungesë që nga 2023, Prokuroria Speciale ka filluar me ngritjen e aktakuzave në mungesë, çdo krim do të hetohet dhe duhet të trajtohet me profesionalizëm, pasi që ka pasur paralajmërime, presim që të kemi një aktakuzë jo vetëm për këtë krim, por sigurisht shumë masakra kanë mbetur pa epilog gjyqësorë. Krimet e luftës nuk vjetërsohen dhe do të ndiqen derisa personat janë të gjallë. Këto procese kanë sfida të ndryshme, të mosbashkëpunimit juridik me Serbinë, sfidën me kohën vdesin kryerësit e krimeve të luftës, dëshmitarët okularë, kemi dhe sfida të tjera të gjykimeve në mungesë, të kritereve që duhet të plotësohen për fillimin e gjykimit. Çdo aktakuzë në mungesë dhe çdo proces penal, është i mirëseardhur. Viktimat e krimeve të luftës janë duke pritur mbi 27 vite për drejtësi dhe në anën tjetër kemi një numër të vogël të personave të dënuar”, tha Alija, përcjell Kosova Press
Ndërkaq, nga familja Jashari, Sala Jashari kandidatja për deputete e PDK-së, tha se ngritja e kësaj çështjeje është e duhur, por shumë e vonuar.
Sipas saj, në lagjen Jashari ka ende të pagjetur, e për këtë armiku duhet të dënohet për krimet e bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Është një gjë shumë e duhur, shumë vonë, por megjithatë prapë mirë që e kanë ngritur si çështje. Këtë e kam përmendur edhe në protestën e kaluar në Hagë, i kam lidhur me faktin që krerët e luftës janë në Hagë dhe në të njëjtën kohë për familjen Jashari askush nuk është dënuar.. Duhet të kuptohet fakti që ne jemi shtet dhe armiku duhet ta kuptoj që duhet të dënohet për gjithçka që e ka bërë për vrasjet dhe gjithçka që kanë arritur me bë në Kosovë”, theksoi Jashari.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në lagjen e Jasharëve në Prekaz, 55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.
