Deputetët e Republikës Çeke të enjten refuzuan një kërkesë për t’i hequr imunitetin nga ndjekja penale kryeministrit Andrej Babiš në një çështje mashtrimi prej 2 milionë dollarësh që lidhet me subvencionet e Bashkimit Europian.
Ligjvënësit votuan 104 kundër dhe 81 pro për ta rrëzuar këtë kërkesë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, e cila ka 200 vende. Një deputet abstenuan, ndërsa 14 të tjerë mungonin.
Miratimi i kërkesës do t’i kishte hapur rrugën Gjykatës Komunale të Pragës që të shqyrtonte çështjen dhe të jepte një vendim. Kjo gjykatë e kishte shpallur Babiš dy herë të pafajshëm, por një gjykatë apeli i anuloi ato vendime, duke argumentuar se provat nuk ishin vlerësuar siç duhet dhe duke kërkuar që gjykata e shkallës së parë të japë një vendim fajësie në një rigjykim.
Refuzimi i kërkesës do të thotë se ai mund të dalë në gjyq vetëm pasi të përfundojë mandati i tij parlamentar në vitin 2029.
Babiš është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se çështja “është qartësisht e motivuar politikisht”. Prokuroria kishte kërkuar fillimisht një dënim me kusht dhe një gjobë për miliarderin populist, i cili nisi mandatin e tretë si kryeministër në dhjetor.
Çështja lidhet me një fermë të njohur si “Foleja e Lejlekut” (Stork’s Nest), e cila mori subvencione nga BE-ja pasi pronësia e saj u transferua nga konglomerati Agrofert, në pronësi të Babiš, te disa anëtarë të familjes së tij. Më vonë, Agrofert e rimori sërish pronësinë e fermës. /ap
