Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Parlamenti izraelit avancon projektligjin për dënimin me vdekje ndaj të burgosurve palestinezë

Parlamenti izraelit avancon projektligjin për dënimin me vdekje ndaj të burgosurve palestinezë

Komiteti për Sigurinë Kombëtare i parlamentit izraelit miratoi vonë të martën një projektligj, duke shënuar një hap drejt legalizimit të ekzekutimit të të burgosurve palestinezë.

Projektligji pritet të paraqitet javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Knessetit për votim në lexim të dytë dhe të tretë, të cilat përbëjnë fazat përfundimtare për t’u bërë ligj i zbatueshëm.

Komiteti bëri disa amendamente në projektligj, i cili kaloi votimin e parë, raportoi transmetuesi publik izraelit KAN, duke shtuar se ekzekutimet do të kryhen me varje.

Të dënuarit me vdekje do të vendosen në një qendër të veçantë paraburgimi, pa lejuar vizita, përveç atyre nga personeli i autorizuar, ndërsa konsultimet me avokatët do të lejohen vetëm përmes videos.

Ekzekutimi duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga marrja e vendimit.

Projektligji parashikon se dënimi me vdekje mund të vendoset edhe pa kërkesë nga prokuroria, se nuk do të kërkohet unanimitet për një vendim të tillë dhe se vendimi do të merret me shumicë të thjeshtë.

Gjykatat ushtarake që veprojnë ndaj palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli do të mund të vendosin gjithashtu dënimin me vdekje, ndërsa ministri i Mbrojtjes do të ketë të drejtën të japë një opinion para panelit gjyqësor.

Në rastin e palestinezëve nën pushtim izraelit që dënohen me vdekje, projektligji specifikon se rrugët për falje ose apelim do të jenë të mbyllura.

Për të burgosurit që gjykohen në Izrael, dënimi me vdekje mund të zëvendësohet me burgim të përjetshëm.

Projektligji u mirëprit nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i krahut të djathtë ekstrem, Itamar Ben-Gvir, i cili e quajti atë “një ditë historike”.

Izraeli ka përshkallëzuar ndjeshëm shkeljet ndaj të burgosurve palestinezë që nga fillimi i luftës në tetor 2023, veçanërisht ndaj atyre nga Gaza, përfshirë urinë, torturën, dhunën seksuale dhe mohimin sistematik të kujdesit mjekësor, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.

Exit mobile version