Ballina Lajmet Kosovë Partitë ende po shqyrtojnë mundësitë për bashkim parazgjedhor, KQZ: Asnjë koalicion i...

Partitë ende po shqyrtojnë mundësitë për bashkim parazgjedhor, KQZ: Asnjë koalicion i regjistruar

Kanë mbetur afër 12 orë deri në përmbylljen e afatit kur koalicionet parazgjedhore mund të deklarohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende asnjë parti.

Afati për koalicion parazgjedhor është hapur me 27 gusht dhe pritet të përfundojë, sot, më 30 gusht në ora 24:00 për deklarim të partive politike që kërkojnë certifikim përmes koalicionit.

Mosdeklarimin e asnjë koalicioni parazgjedhor në KQZ, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i saj, Valmir Elezi, për lajmi.net.

“Deri më tani (11:15) nuk kemi pranuar asnjë deklarim të partive politike për Koalicion. Ashtu siç kemi njoftuar, ky afat përmbyllet sonte, në orën 24:00”, ka thënë Elezi.

Mes tjerash, Elezi tha se të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje në emër të ndonjë koalicioni, duhet të deklarojnë edhe partnerët e tjerë të atij koalicioni deri në afatin e përcaktuar (pra njoftimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë partnerët e koalicionit).

Sido qoftë, partitë politike të cilat nuk njoftojnë se do të garojnë në zgjedhje si pjesë e koalicionit, ato nuk mund të aplikojnë për koalicion pas këtij afati.

Kujtojmë, se fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore pritet të hapet më 25 shtator dhe të zgjasë deri më 4 tetor, ndërsa dita e votimit është 6 tetori.

Exit mobile version