Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Partitë politike të Groenlandës: “Nuk duam të jemi amerikanë”

Partitë politike të Groenlandës: “Nuk duam të jemi amerikanë”

Partitë politike të Groenlandës kanë reaguar ashpër pasi presidenti amerikan Donald Trump përsëriti sugjerimet për marrjen nën kontroll të këtij territori autonom danez, madje duke mos përjashtuar edhe përdorimin e forcës.

“Nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi groenlandezë”, thanë liderët e pesë partive të përfaqësuara në parlamentin e Groenlandës, në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje. Sipas tyre, e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset vetëm nga vetë groenlandezët.

Reagimi vjen pasi Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “do të bëjnë diçka për Groenlandën, pavarësisht nëse atyre u pëlqen apo jo”. Ai argumentoi se kontrolli i ishullit strategjik është thelbësor për sigurinë kombëtare të SHBA-së, për shkak të rritjes së aktivitetit ushtarak të Rusisë dhe Kinës në Arktik.

“Ne nuk do të lejojmë që Rusia ose Kina të pushtojnë Groenlandën. Nëse nuk veprojmë ne, ata do ta bëjnë. Prandaj do të veprojmë, ose në mënyrë të butë, ose në mënyrë më të vështirë”, tha Trump.

Danimarka dhe disa aleatë evropianë kanë shprehur shqetësim dhe tronditje ndaj këtyre deklaratave. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se një pushtim i Groenlandës do të nënkuptonte fundin e rendit aktual të sigurisë dhe marrëveshjes së mbrojtjes së NATO-s.

Trump, megjithatë, minimizoi reagimet e Danimarkës, duke thënë se fakti që “një anije daneze ka zbarkuar atje 500 vjet më parë nuk do të thotë se ata e zotërojnë tokën”.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë javën e ardhshme një takim me ministrin e Jashtëm të Danimarkës dhe përfaqësues të Groenlandës. /mesazhi

Exit mobile version