Ballina Lajmet Kosovë Pas Malishevës, uji e bën “copa” edhe asfaltin në Fushë Kosovë

Pas Malishevës, uji e bën “copa” edhe asfaltin në Fushë Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se vërshimet kanë zhvendosur një segment të tërë rrugor në Fushë Kosovë.

Sipas LVV-së, ky segment rrugor është shkatërruar vetëm pas disa viteve që është bërë investimi

“Vetëm pas disa viteve investimi i Komunës së Fushë Kosovës në fshatin Grabovc është shkatërruar nga vërshimet. Ky kalim tashmë është i pamundshëm për rreth 20 shtëpi të Lagjes Sogojeva”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV thotë se “Ndërtimet kuturu dhe pa një studim paraprak po bëjnë që këto projekte të shndërrohen hedhje e parasë publike në baltë”.

“Përkundër faktit se ka qenë e ditur se kjo zonë vërshohet, investimi është bërë pa vendosur infrastrukturë shtesë prej betoni që do të siguronte qëndrushmërinë e rrugës.

Kjo lagje ka vuajtur për një kohë të gjatë me këtë rrugë dhe duket se vuajtjet do të vazhdojnë edhe më tutje, pa e gëzuar më shumë se disa vite”,  vijon reagimi.

LVV ka kritikuar ashpër Komunën e Fushë Kosovës për këto investime.

“Vlen të theksohet se në një situatë të ngjashme, rreth 100 metra më poshtë, para më shumë se 30 viteve është ndërtuar ura dhe rruga, të cilat edhe sot e kësaj dite i qëndrojnë fuqisë së vërshimeve. Investimet shkel e shko dhe pa një studim paraprak janë një praktikë e zakonshme e Komunës së Fushë Kosovës”.

Dëmtime të asfaltit ka pasur edhe në një rrugë të Malishevës, ku për këtë prishje komuna e Malishevës akuzoi Ministrinë e Infrastrukturës.

Exit mobile version