Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas Palestinës dhe Libanit, Izraeli “zgjeron” shkeljet e ligjit ndërkombëtar edhe në...

Pas Palestinës dhe Libanit, Izraeli “zgjeron” shkeljet e ligjit ndërkombëtar edhe në Siri

Sipas një studiuese të historisë së rajonit të Lindjes së Mesme, pushtimi dhe sulmet ajrore të Izraelit në Siri, pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, shkelin ligjin ndërkombëtar dhe janë pjesë e një modeli më të gjerë të shkeljeve të vazhdueshme në Palestinë dhe Liban.

Duke folur për Anadolu, Assal Rad, një studiuese e historisë së Lindjes së Mesme, tha se operacionet e fundit të Izraelit në Siri pasqyrojnë qasjen e Tel Avivit prej dekadash ndaj ligjit ndërkombëtar, duke treguar ngjashmëri me politikat izraelite në territoret palestineze.

“Pra, ajo që kemi parë që bën Izraeli është të shfrytëzojë menjëherë faktin se padyshim Siria po kalon këtë trazirë, një moment tranzicioni dhe thyerjeje, që krijon njëfarë destabiliteti. Është një kohë kur vetë sirianët po përpiqen të vlerësojnë situatën, të sigurohen që vetë shteti kombëtar të mos shembet, që të gjitha procedurat e shtetit të vazhdojnë”, tha Rad.

Ajo argumentoi se politikat e Izraelit në Lartësitë e Golanit pasqyrojnë pushtimin e tokave palestineze.

“Duhet ta kuptoni brenda këtij konteksti, sepse mentaliteti i shtetit-komb izraelit është se ai mund të pushtojë lirisht këto territore që janë të përcaktuara qartë sipas ligjit ndërkombëtar si territore, që i përkasin popullit palestinez, qoftë Rripi i Gazës, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor ose Lartësitë e Golanit, të cilat gjithashtu janë të pushtuara prej dekadash, që i përkasin Sirisë”, tha ajo.

Rad tha se Izraeli vazhdon pushtimin e këtyre zonave pa u përballur me përgjegjësinë ndërkombëtare.

“Izraeli ka vazhduar të kryejë këtë pushtim prej dekadash të të gjitha këtyre territoreve, sepse në thelb ai nuk përballet me pasoja në aspektin e ligjit ndërkombëtar apo për shkak të patronazhit nga SHBA-ja, i cili siguron që mos të ketë përgjegjësi për veprimet e Izraelit”, tha Rad.

– Justifikimi i tampon zonës

Më tej, Rad kritikoi justifikimin e Izraelit për veprimet në Siri, duke e quajtur atë ligjërisht të pabazë.

“Është interesante nëse dëgjoni se çfarë thonë zyrtarët izraelitë, ata po argumentojnë se kanë nevojë për një tampon zonë, sepse Lartësitë e Golanit në fakt janë vetë territor sirian. Pra, ju shihni të njëjtën gjuhë dhe model pushtimi që ka vazhduar për dekada”, tha ajo.

Izraeli pushtoi pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe më vonë në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar aneksoi territorin. Në vitin 1974, një marrëveshje midis Izraelit dhe Sirisë krijoi një tampon zonë dhe një zonë të çmilitarizuar.

Rad dënoi politikat e qeverisë aktuale të Izraelit, duke e quajtur atë “qeverinë nacionaliste më të djathtë në një shtet tashmë etnonacionalist”.

Më tej, ajo citoi komentet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe të ministrave të kabinetit të tij, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, të cilët kanë diskutuar hapur aneksimin e Bregut Perëndimor.

“Kjo është diçka që brenda shtetit izraelit, ju në fakt keni komentues, zyrtarë brenda shtetit, udhëheqës të atyre që ata i quajnë lëvizje kolonësh, të cilët po flasin për faktin se do të sistemojnë vendbanime në të gjitha këto toka, përfshirë në Siri, për të mos përmendur llojin e diskursit publik që shihni brenda shoqërisë izraelite”, tha Rad.

– E drejta ndërkombëtare nuk mund të rishkruhet

Studiuesja e historisë së Lindjes së Mesme gjithashtu theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe hodhi poshtë përpjekjet për ta ri-interpretuar atë për përfitime politike.

“Idetë e sovranitetit dhe integritetit territorial janë komponentët bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe kjo nuk është diçka që Izraeli apo SHBA-ja për këtë çështje mund ta rishkruajnë, sepse ato nuk bazohen në vullnetin ose interpretimet e shteteve kombëtare individuale, por në konsensusin e një komuniteti ndërkombëtar. Pra, sovraniteti i Sirisë, si ai i Libanit dhe i çdo vendi tjetër në rajon, si dhe meqë ra fjala territoret palestineze, ato territore gjithashtu njihen ndërkombëtarisht se i përkasin popullit palestinez. E gjithë kjo është e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare”, shpjegon Rad.

Lëvizjet e Izraelit vijnë në vazhdën e rrëzimit të regjimit të Bashar Asadit, liderit të Sirisë për pothuajse 25 vjet, i cili iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit të dielën morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.

Exit mobile version