Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është mbyllur pas debateve dhe tensioneve që nisën që në fillim të seancës, ku deputetët e opozitës penguan disa deputetë të mazhorancës të mbanin fjalimet e tyre, raporton Anadolu.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare kanë penguar deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, të mbajnë fjalimet e tyre në seancë, duke shkaktuar tensione dhe ndërprerje të seancës.
Ndërkohë, gjatë tensioneve deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, pasi sipas tyre “po mbrojnë të drejtat e opozitës”, ndërsa ka pasur edhe përplasje fizike.
Deputetët opozitarë kanë theksuar në seancën e sotme se “opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me të gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese”.
Në një deklaratë për mediat, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, ka theksuar se, “Opozita po bën këtu një betejë në emër të qytetarëve opozitarë, por jo vetëm, me të cilën kërkon rivendosjen e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament”.
Berisha ka shtuar se janë “të vendosur të mbrojmë pluralizmin demokratik në parlament”.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, vendosi që të ndërpresë seancën parlamentare disa herë për shkak të tensioneve, ndërsa më pas vendosi mbylljen e seancës
Seanca e sotme, ku ishte planifikuar të diskutohej për çështje të evidentuara nga qytetarë, u mbajt pas tensioneve para fillimit të seancës së datës 19 tetor, e cila nuk u zhvillua për shkak të bllokimit të sallës së seancave plenare nga deputetët e opozitës, të cilët bllokuan vendet e qëndrimit të ministrave dhe të drejtuesve të Kuvendit. Në seancën e kaluar deputetët opozitarë kishin paralajmëruar bllokimin përsëri të punimeve të parlamentit.
Pas përplasjeve dhe tensioneve që shkaktuan shtyrjen e seancës, Kuvendi i Shqipërisë vendosi më 19 tetor përjashtimin e 23 deputetëve të opozitës për 10 ditë nga punimet e parlamentit, përfshirë deputetë të Partisë Demokratike dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare.
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë theksuar se “do të nisë qëndresa e opozitës në parlament”, pasi sipas tyre “parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla”.