Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas thatësirës së madhe, Spanja në alarm nga shirat e rrëmbyeshëm dhe...

Pas thatësirës së madhe, Spanja në alarm nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet

Një pjesë e madhe e Spanjës është vënë në alarm për shkak të motit të keq që po prek Gadishullin Iberik, ku shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje, pas muajsh thatësire.

Shirat e dendur dhe stuhitë, sipas ekspertëve, goditën vendin gjatë fundjavës kryesisht në juglindje në provincat e Almeria dhe Alicante. Shi i rrëmbyeshëm ra edhe mbrëmjen e së hënës në Madrid, duke bllokuar trafikun në disa rrugë dhe duke vonuar disa linja metroje për shkak të prurjes së konsiderueshme të ujit.

Shërbimi Meteorologjik Spanjoll (Aemet) ruajti të martën në shumë zona nivelin e alarmit të ngjyrës “të verdhë” apo “portokalli”, pasi ekzistonte rreziku për breshër. Moti i keq parashikohet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Këto reshje do të kenë një kontribut të rëndësishëm dhe pozitiv në deficitin e reshjeve me të cilin përballet Spanja prej muajsh, pasi thatësira me përmasa historike që goditi vendin në muajt e mëparshëm ka pasoja të rënda në sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se gjatë shirave të rrëmbyeshëm, uji nuk ka kohë të depërtojë në tokë, ato nuk janë të mjaftueshme dhe është shumë vonë për të mbuluar deficitin dhe për të mbushur rezervuarët. Sipas Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik, gjatë javës së fundit të majit niveli i ujit në rezervuarë ka rënë në 47,5% të kapacitetit të tyre, nga 47,7% që ishte javën e kaluar. Gjatë dekadës së fundit rezervuarët në këtë periudhë të vitit kanë qenë mesatarisht 68.1% të mbushura.

Aemet vuri në dukje se prilli i kaluar ishte më i nxehti dhe më i thati i regjistruar që nga fillimi i regjistrimeve të motit në Spanjë. Viti 2022 konsiderohet si viti më i ngrohtë në historinë e vendit. /abcnews

Exit mobile version