Ballina Lajmet Kosovë Pavarësia e Kosovës dhe përgjegjësia jonë fetare dhe kombëtare

Pavarësia e Kosovës dhe përgjegjësia jonë fetare dhe kombëtare

Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, u mbajt hytbe e përbashkët me temën “Pavarësia e Kosovës dhe përgjegjësia jonë fetare dhe kombëtare”.

Të dashur vëllezër besimtarë!

Jemi në xhumanë e fundit të muajit Shaban dhe dalëngadalë po i afrohemi muajit të bekuar Ramazan, muajit të mëshirës, faljes dhe pastrimit shpirtëror.
Ramazani është një dhuratë hyjnore për besimtarin, një mundësi për t’u afruar më shumë me Allahun, për ta forcuar besimin, durimin dhe përgjegjësinë tonë morale.
Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s., na ka përgëzuar për ardhjen e këtij muaji duke thënë:
“Ju erdhi Ramazani, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit ua obligoi Allahu i Madhëruar…”
Muaji i agjërimit, këtij adhurimi (ibadeti) me vlera dhe shpërblim të veçantë, për të cilin Allahu i Madhëruar urdhëroi dhe tha:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El Bekare, 183).

Ramazani veç të tjerash na mëson vetëpërmbajtjen, drejtësinë, sakrificën dhe solidaritetin – vlera këto që janë të pandara edhe nga historia jonë kombëtare.

Të nderuar besimtarë!

Para nesh është edhe 17 Shkurti, dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. 17 shkurti i vitit 2008 nuk është një datë e zakonshme, por përmbyllje e një rruge të gjatë sakrifice, dhimbjeje dhe qëndrese. Pavarësia nuk erdhi si dhuratë, as rastësisht. Ajo erdhi pas dekadash shtypjeje, mohimi të të drejtave, përndjekjesh, burgimesh, masakrash dhe një lufte çlirimtare të pastër, që synonte një qëllim të vetëm: lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë në tokën tonë.
Padrejtësitë që iu bënë popullit të Kosovës – spastrimi etnik, ndalimi i gjuhës, dhuna policore e ushtarake, gjenocidi, djegia e shtëpive, shkatërrimi i xhamive, varrezat masive – ishin zullum i qartë.
Edhe pse Islami është fe e paqes, dhe lufta nuk është qëllim në vetvete, Kurani na mëson se vetëmbrojtja është e lejuar, kur padrejtësia bëhet sistematike:
“Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin.”
(El Bekare, 190)
Andaj, kjo histori nuk është histori hakmarrjeje, por histori e rezistencës ndaj zullumit. Allahu i Madhëruar thotë: “…Allahu nuk i do zullumqarët.” (Ali Imran, 57, 140).

Vëllezër të dashur!

Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte luftë për mbijetesë, për liri dhe për nder. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kapitull lavdie në historinë tonë. Bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi u ngritën për ta mbrojtur popullin dhe atdheun. Sakrifica e familjes Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari është shembull i rrallë në histori për besë, qëndresë dhe flijim.

Të dashur besimtarë!

Në përvjetorin e Pavarësisë, Kosova vazhdon të sfidohet. Si besimtarë, ne jemi të obliguar ta mbrojmë shtetin tonë me mençuri, maturi dhe përgjegjësi, duke kontribuar në forcimin e institucioneve, ruajtjen e rendit, unitetit dhe stabilitetit. Nuk guxojmë të bëhemi pengesë e shtetit tonë, por mbështetje e tij. Nuk guxojmë të provokohemi as nga armiku i drejtpërdrejtë, e as nga instrumentet e tij që mund të jenë brenda vendit tonë.
Ndërtimi i shtetit në Medinë nga Pejgamberi a.s. është dëshmi se feja dhe shteti funksionojnë në shërbim të njeriut. Pa shtet, feja dhe liria janë të pambrojtura. Para vitit 1999, edhe liria fetare në Kosovë ishte e cenuar pikërisht sepse nuk kishte shtet që ta garantonte.

Të dashur vëllezër besimtarë!

Ndërsa e shënojmë 17 Shkurtin, ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, zemrat tona janë të mbushura me krenari, por edhe me shqetësim për padrejtësitë që po u bëhen çlirimtarëve tanë. Ne besojmë në pafajësinë e tyre, në luftën e tyre të pastër, të drejtë dhe çlirimtare.
Ata janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme dhe bartës të proceseve më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.

Prandaj, në këtë ditë simbolike, më 17 shkurt, në Prishtinë do të mbahet marshi protestues “Liria ka emër”, në mbështetje të çlirimtarëve tanë që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ne, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi, kemi të drejtë dhe obligim moral që ta ngremë zërin për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën historike.

Bashkësia Islame mbështet fuqishëm marshin, duke porositur qytetarët që, në mënyrë paqësore, të qetë dhe dinjitoze, t’i përgjigjen këtij marshimi, duke treguar unitet, maturi dhe përgjegjësi, ashtu siç na mëson feja jonë islame. Zëri ynë i bashkuar është dëshmi se nuk harrojmë sakrificën, nuk pranojmë padrejtësinë dhe nuk lejojmë që të njolloset lufta jonë e drejtë për çlirimin e atdheut.

Të dashur besimtarë!

Pavarësia e Kosovës është amanet. Amanet i dëshmorëve, i çlirimtarëve dhe i brezave që vijnë pas nesh. Ta ruajmë këtë amanet me drejtësi, ndershmëri, unitet dhe angazhim të vazhdueshëm për shtetin tonë. Një shtet dhe një shoqëri humb vlerën e tij kur shoqëria mbushet me padrejtësi e përçarje.
Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet forcimi i kohezionit social përmes forcimit të vlerave të harmonisë, respektit, mirëbesimit dhe bashkëjetesës fetare, duke qenë shembull për rajonin dhe botën mbarë, si dhe bashkëpunimin në interes të kombit dhe atdheut tonë të shtrenjtë.

Le të jetë 17 Shkurti jo vetëm ditë feste, por edhe ditë reflektimi, përgjegjësie dhe përkushtimi.
Le ta shënojmë 17 Shkurtin me falënderim ndaj Allahut për shtetin të cilin e gëzojmë, me lutje për dëshmorët, me respekt për çlirimtarët dhe me përkushtim për një Kosovë më të drejtë, më të sigurt dhe më të bashkuar.

Allahu e bekoftë Kosovën, e forcoftë unitetin tonë dhe e ruajt lirinë tonë të fituar me sakrificë!

Amin!

Exit mobile version