Ballina Lajmet Kosovë PDK: Komuna shkeli ligjin me tenderin e autobusëve

PDK: Komuna shkeli ligjin me tenderin e autobusëve

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës, në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, ka mbajtur një konferencë për shtyp, lidhur me shpalljen e fituesit të tenderit për blerjen e autobusëve.

Anëtari i Kryesisë së kësaj dege, Triumf Sadikaj, ka bërë me dije se i janë drejtuar Agjencionit Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik rreth dy çështjeve që kanë të bëjnë me tenderin e fundit të Komunës së Prishtinës për blerjen e autobusëve.

Sadikaj ka thënë se nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka kryesuar komisionin për hapje dhe vlerësim të këtij tenderi gjë që, sipas Sadikajt, është shkelje e rëndë e legjislacionit që rregullon prokurimin publik, ndërsa çështja e dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e një kompanie, e cila është 1.1 milion euro më e shtrenjtë sesa kompania më e lirë, vendim ky që dëmton buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe xhepin e qytetarëve të Prishtinës.

“1.1 milion euro të paguara më shumë nga Komuna e Prishtinës, të cilat pretendojnë t’i mbulojnë me shtrenjtimin e biletës, është bazë e mjaftueshme për t’u zhvilluar hetime, sepse Komuna e Prishtinës është shndërruar në shtab të Vetëvendosjes dhe këto mjete mund të shfrytëzohen për të sponsorizuar shkatërrimin e kryeqytetit”, tha Sadikaj.

Ai ndër të tjera tha se asamblistët e PDK-së e kanë përkrahur këtë investim dhe do të përkrahin çdo investim të mirëfilltë, transparent dhe në të mirë të qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Exit mobile version