Ballina Lajmet Kosovë PDK merr pjesë në seancën e opozitës, por përkrah Thaçin

PDK merr pjesë në seancën e opozitës, por përkrah Thaçin

Një ditë pasi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së kritikoi përkrahjen që Partia Demokratike e Kosovës po i bën presidentit Hashim Thaçi, është përgjigjur deputeti i kësaj partie, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, po manipulon dhe mashtron opinionin publik, duke shtuar se PDK-ja është e vetmja që ka ofruar platformë konkrete për dialogun, raporton KTV.

Gjatë ditës, ish-partia e presidentit ka mbledhur grupin parlamentar në selinë e saj.

Pas takimit, deputeti Krasniqi ka konfirmuar se PDK-ja do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, më 4 shtator.

Dje presidenti Thaçi u është adresuar ambasadorëve të shteteve mike në Kosovë, ku në tetë pika u ka shpjeguar atyre idenë e tij për korrigjim të kufirit.

Aty ai ka thënë se arritjen e një marrëveshje afatgjatë Kosova do të mbante garancinë për të mbrojtur të drejtat e pakicave, të garantuara me Kushtetutë.

Deklaratat e Thaçit për korrigjim kufijsh i ka përmendur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ka thënë se presidenti ka bërë një marrëveshje për korrigjim kufijsh edhe me Malin e Zi, por pa korrigjim në terren.

Edhe Partia Shqiptare Demokristiane ka dalë kundër propozimit të Hashim Thaçit për korrigjim kufijsh me Serbinë. Kjo parti ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë që përcakton vijat e kuqe në bisedimet me Serbinë.

Exit mobile version