Ballina Sport Futboll Pele në gjendje jo të mirë shendëtësore, mesazhe përkrahëse nga e tërë...

Pele në gjendje jo të mirë shendëtësore, mesazhe përkrahëse nga e tërë bota

Edson Arantes do Nascimento - PELE

Numër i madh i mesazheve përkrahëse nga mbarë bota kanë shkuar të shtunën për legjendën e futbollit, Pelen, tri herë fituesin e Kupës së Botës.

Pele aktualisht është në spital, dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, kanë shkruar mediat e huaja.

82-vjeçari ishte pranuar në spital në Sao Paulo të martën, dhe u tha se është vetëm një vizitë mujore e zakonshme.

Megjithatë, mediat braziliane të shtunën kanë shkruar se tani ka filluar përkujdesja për fundin e jetës së tij, pasi nuk po i përgjigjet kimioterapisë.

“Lutuni për mbretin”, ka shkruar në Twitter sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe.

 

Kulla e Dohas me mesazh mbështetjeje për Pelen

Tri herë fituesi i Kupës së Botës ishte operuar në zorrën e trashë prej së cilës iu hoq një tumor në shtator të vitit 2021, dhe që nga ajo kohë ka pasur trajtim të rregullt mjekësor.

Pele u diagnostikua me një infeksion në frymëmarrje dhe të premten, spitali “Albert Einstein” në Sao Paulo, ka thënë se ai është në gjendje stabile.

“Jemi shumë të mërzitur që dëgjuam lajmet rreth tij se është i sëmurë dhe shpresoj më të mirën për të, jo vetëm unë, por e gjithë Anglia. Ai është inspirim dhe i jashtëzakonshëm për të gjithë”, ka thënë të shtunën kapiteni i Anglisë, Harry Kane.

Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë, ish-sulmuesi Juergen Klinsmann, ka reaguar po ashtu.

“Pele është person kaq i mrekullueshëm. Personalitet i shkëlqyer i botës së futbollit. Ne vetëm mund të lutemi dhe të shpresojmë për më të mirën, por është lajm shumë i hidhur”, është shprehur Klinsmann.

Shqetësimet janë ngritur të mërkurën kur “ESPN Brasil” raportoi se Pele është pranuar në spital, ndërsa vajza e tij, Kely Nascimento, kishte thënë se nuk kishte diçka “emergjente”.

Pele i falënderoi të gjithë për mesazhet të premten dhe tha se qëndrimi i tij në spital ishte vetëm “vizitë e zakonshme”.

Ish-sulmuesi është golashënuesi më i mirë i Brazilit me 77 gola në 92 ndeshje dhe ka shënuar gola në katër turne të Kupës së Botës.

Santosi, klubi i tij i vetëm brazilian, shkroi në Twitter po ashtu.

“E gjithë bota po të dëshiron shëndet, Mbreti Pele”, ka shkruar klubi brazilian.

 

Exit mobile version