Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi mori pjesë në Samitin Parlamentar të Nismës së Tre Deteve, që po zhvillohet në Zagreb, transmeton Anadolu.
Siç bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë, Peleshi në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndërlidhjes infrastrukturore, energjetike dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në projektin evropian.
Kryeparlamentari shqiptar Peleshi tha se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më si periferi e Evropës, por si pjesë përbërëse e arkitekturës së saj të ardhshme, duke theksuar se gjeografia, zgjedhjet politike dhe rrënjët kulturore të rajonit e mbështesin këtë perspektivë.
Peleshi theksoi se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nyje strategjike që lidh Adriatikun dhe Jonin me rrjetet më të gjera evropiane, duke kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Ai veçoi rëndësinë e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike si Korridori VIII dhe Korridori Blu si edhe Gazsjellësi Trans Adriatik e Gazsjellësi i planifikuar Joniano-Adriatik, të cilët krijojnë një rrjet të integruar lindje-perëndim dhe veri-jug, duke lidhur porte, rrugë energjetike dhe qendra ekonomike në rajon.
Në këtë kuadër, Peleshi theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një çështje politike, por një domosdoshmëri strategjike për vetë Evropën, pasi zgjerimi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Nisma e Tre Deteve (Three Seas Initiative) është një platformë bashkëpunimi rajonal që lidh vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore mes Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi. Ajo synon të zhvillojë projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe digjitalizimit, duke rritur ndërlidhjen dhe sigurinë ekonomike të rajonit.
Iniciativa u krijua në vitin 2015 dhe sot përfshin 13 vende anëtare të BE-së ndërsa disa vende të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, marrin pjesë si partnerë.
Samiti parlamentar i zhvilluar në Zagreb mbledh kryetarë parlamentesh dhe deputetë nga vendet pjesëmarrëse dhe partnerët strategjikë për të diskutuar projektet e ndërlidhjes dhe bashkëpunimin politik në rajon.
