Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pentagoni: Kina po përgatitet për sulme ndaj objektivave amerikane

Pentagoni: Kina po përgatitet për sulme ndaj objektivave amerikane

Tensionet e Amerikës me Kinën duket se nuk kufizohen te përballja tregtare. Raporti i përvitshëm i Pentagonit në Kongres përbën praktikisht një spostim të rëndësishëm të fokusit, edhe në aspektin ushtarak, me pretendimet se ushtria e vendit komunist, me shumë gjasë po stërvitet për sulme kundër shënjestrave amerikane dhe aleate në rajonin e Paqësorit.

“Kina, – theksohet në dokument, – është duke e rritur aftësinë e saj për t’i dërguar edhe më larg avionët e saj bombardues”.

Vëmendja tërhiqet në mënyrë të veçantë te rritja e ndjeshme e kapaciteteve ushtarake të vendit, përfshirë këtu shtimin e shpenzimeve të mbrojtjes, të parashikuara në 190 miliardë dollarë, apo sa një e treta e atyre të SHBA-ve.

Pekini vet, ende nuk ka bërë asnjë koment mbi raportin, që vëren sesi përgjatë 3 viteve të fundit, Ushtria Çlirimtare e Popullit i ka zgjeruar me një ritëm të shpejtë zonat operative të bombarduesve mbi ujë, duke fituar eksperiencë në rajone detare kyçe, e me shumë mundësi duke u stërvitur për të shënjestruar objektiva amerikane dhe aleate në Perëndim të Paqësorit, përfshirë ishullin e Guamit.

Pentagoni nënvizon se nuk është fare e qartë çfarë po kërkon Kina të demonstrojë përmes fluturimeve të tilla, e kjo u lë shteg hamendësimeve.

Lidershipi kinez ka folur deri më tani për transformimin e forcave të veta tokësore, me qëllimin të luftojnë e të fitojnë. Raporti lëshon nga ana tjetër edhe një paralajmërim, që duhet të ngjallë shqetësim në Tajvan.

Kina – sipas tij, – mund të jetë duke përgatitur terrenin për bashkimin e saj me ishullin nëpërmjet forcës, e nëse Amerika ndërhyn, ajo – sipas Pentagonit, – do të tentojë të vonojë në mënyrë të efektshme këtë ndërhyrje e të kërkojë fitoren në një luftë të kufizuar e të shkurtër, por me intensitet të lartë.

Exit mobile version