Ballina Lajmet Kosovë Për çfarë dhe te kush ankohen më së shumti konsumatorët

Për çfarë dhe te kush ankohen më së shumti konsumatorët

Numri i kërkesave dhe ankesave nga konsumatorët është shtuar për 70% në vetëm gjashtë muajt e fundit, raporton KTV.

Më së shumti ankesa ka ndaj autoriteteve të shërbimeve elektronike, postare, autoriteteve për shërbime të ujit, energjisë dhe ndaj Bankës Qendrore të Kosovës. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorëve gjatë një konference për media.

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka mbajtur konferencë për media lidhur me aprovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, realizimin e programit për mbrojtje dhe zgjerimin e këshillit me anëtarë të rinj.

Kryetari i këshillit, Sherif Fejzullahu, ka thënë se ky këshill ka për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve për raportimin e të padrejtësive që iu bëhen.

Sipas Fejzullahut, që nga konferenca e fundit për media, e mbajtur gjashtë muaj më parë, numri i kërkesave dhe ankesave nga konsumatorët është shtuar për 70%, duke e treguar rëndësinë e mediave në vetëdijesimin e qytetarëve.

Ndërsa anëtari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”, ka thënë se ligji i plotësuar e garanton sigurinë e konsumatorëve.

Sipas kryetarit të Këshillit, pjesëmarrja e anëtarëve të inspektoratit në këshill ka bërë që dy palët të bashkëpunojnë edhe më shumë.

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit momentalisht përbëhet nga shtatë anëtarë dhe pritet që së shpejti të zgjerohet me shtimin e katër shoqërive civile dhe pesë përfaqësuesve nga entet rregullatore.

Exit mobile version