Ballina Lajmet Kosovë Për një javë mbyllen 15 lokale “muzikë live” dhe 17 “qendra masazhi”

Për një javë mbyllen 15 lokale “muzikë live” dhe 17 “qendra masazhi”

Për një javë, nga 8 deri më 14 maj, mbi 30 lokale që kanë qenë të destinuara si lokale të muzikës dhe qendra masazhi, janë mbyllur në gjithë vendin, ka njoftuar Policia.

Aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Stuhia 2023”, që është zhvilluar njëkohësisht në 47 shtete të botës.

Pjesë e operacionit kanë qenë: Operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge; inspektimin/kontrollimin e lokaleve ‘Muzikë Live’; inspektimin/kontrollimin e ‘Qendrave të Masazhit’ dhe kontroll të shtuara në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

Në operacion janë përfshirë 262 zyrtarë nga Policia dhe inspektoratet.

Për një javë janë identifikuar tre viktima të trafikimit dhe 11 të supozuara, që janë referuar për shërbime dhe trajtim sipas procedurave. Janë arrestuar 14 persona për trafikim. 6 raste janë referuar në stacione policore për armëmbajtje pa leje, dëmtim të vulave zyrtare dhe hapje ilegale të lokaleve të mbyllura.

Ndërsa nga inspektimi/kontrollimi i 55 lokaleve “Muzikë live”, janë legjitimuar 377 punëtorë, 275 nga të cilët ishin të gjinisë femërore dhe 188 ishin shtetas të huaj. 15 lokale nga to janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative.

Janë inspektuar 51 “Qendra masazhi”. Janë legjitimuar gjithsej 153 punëtorë, nga të cilët 129 të gjinisë femërore dhe 33 shtetas të huaj. Prej këtyre “Qendra masazhi”, 17 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative.

“Policia do të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë pjesë e bashkëpunimit dhe iniciativave/operacioneve ndërkombëtare si dhe operacioneve të organizuara në nivel vendi, pasi lufta kundër trafikimit me njerëz është sfidë ndërkombëtare e vendore e cila duhet të luftohet në bashkëpunim e koordinim ndërkombëtar e me institucione vendore e qytetarë”, thuhet në njoftim të Policisë pas aksionit të përbashkët me Interpolin, Europolin dhe Frontexin.

Exit mobile version