Ballina Lajmet Kosovë Për shtatë ditë krijohet rrethana ligjore për shpalljen e aktakuzave nga Specialja

Për shtatë ditë krijohet rrethana ligjore për shpalljen e aktakuzave nga Specialja

Të mërkurën do të jepet verdikti për kushtetutshmërinë e Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale. Një javë më vonë, dokumenti do të hyjë në fuqi, me të krijohet rrethana që aktakuzat të mundë të konfirmohen prej gjykatësve. Juristët kanë paralajmëruar se arrestimet e para mund të jenë të menjëhershme. E ekspertët e sigurisë kanë shtruar drojën për tronditjen e sistemit politik e institucional në Kosovë. Pavarësisht kësaj, autoritetet nuk kanë treguar për ndonjë strategji për ta përballuar këtë situatë

Gjykata Speciale ka kumtuar, të premten, se në mesin e javës së ardhshme do të ndodhë vendimmarrja për Rregulloren e Procedurës dhe Provave, pas hyrjes në fuqi të së cilës hapet rruga për shpalljen e aktakuzave të para. Shteti, ndërkaq, nuk ka ndërmarrë përgatitje për t’u përballur me pasojat e mundshme pas këtij zhvillimi.

Bazuar në informatën e Speciales, të mërkurën e ardhshme kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, An Pauwr-Ford, do të shqiptojë përmbledhjen e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Shpejt më pas, përmbledhja e aktvendimit do të publikohet. Dhe, një javë më pas rregullorja do të hyjë në fuqi, rrethanë kjo kur iu mundësohet prokurorëve që para gjykatës t’i paraqesin aktakuzat për konfirmim.

Specialja ka juridiksion lëndor mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimeve të tjera sipas ligjit të Kosovës të kryera në periudhën 1998-2000, ndërlidhur me pretendimet e ngritura në raportin e senatorit Dick Marty, i miratuar në 2011-n nga Këshilli i Evropës. Pak muaj pas këtij raporti, BE-ja ka vendosur të krijojë një Task Forcë Speciale Hetimore (SIFT), për të kryer një hetim të pavarur penal ndaj të gjitha pretendimeve të përfshira në Raport, si dhe krimeve të tjera të lidhura me këto pohime, ka shkruar Koha Ditore në numrin e së shtunës së 24 qershorit. E në verën e vitit 2014, SIFT-i ka njoftuar të ketë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Por në mungesë të gjykatës, aktakuzat nuk kanë mundur të shpallen.

Raporti i senatorit Martty, mbi bazën e të cilit janë zhvilluar hetimet, përmend si përgjegjës të krimeve shumë personalitete që tash janë në skenë politike, përfshirë vetë presidentin Hashim Thaçi dhe eksponentë të tjerë të lartë të politikës.

Vigan Qorrolli është jurist, ka paralajmëruar se shumë shpejt pritet të ndodhin edhe arrestimet e para të Speciales.

“Pas harmonizimit kushtetues të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale do të marrin dritën jeshile për të nisur me punën e tyre praktike, çka në esencë nënkupton që ato mund të nisin me ngritjen formale të aktakuzave dhe të hapave të tjerë proceduralë të paraparë me këtë rregullore. Vlerësimi ligjor nga ana e gjyqtarëve kushtetues do të jete ai i pajtueshmërisë së plotë me standardet e të drejtave të njeriut, meqë disa nene të rregullores paraprakisht ishin në kundërshtim me kufizimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut”, i ka thënë gazetës Qorrolli. “Ngritja e aktakuzave pas kësaj do të mundë të bëhet dhe me gjasë paraburgimet e para për të dyshuarit për krime lufte do të fillojnë shumë shpejt, meqë pengesat e fundit formale në aspektin kushtetues tashmë janë hequr”.

Publikimi i emrave të të akuzuarve druhet se do ta tensionojë situatën, për të cilën mungon një plan institucional menaxhimi.

Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), i ka thënë gazetës më herët se trajtimi i rasteve në këtë Gjykatë mund të jetë ndikues për zhvillimet e brendshme politike, institucionale dhe shoqërore në Kosovë. Kjo për shkak të mundësisë së supozuar që të tronditet sistemi politik e institucional në Kosovë.

“Problemi kryesor në Kosovë është se sistemi është i dobët, ndërsa individët e fortë. Në fakt, goditja e supozuar e individëve të fortë mund të parashihet edhe si goditje e supozuar e sistemit në tërësi”, ka thënë Ramadani. “Prandaj, edhe gjendja e sigurisë mund të sfidohet në mënyrë mjaft direkte, nëse për këtë nuk ka paraprakisht dy elemente përbashkësuese: Së pari, që individët që potencialisht mund të akuzohen të bëjnë përpjekje maksimale për të ruajtur rendin në shtetin e Kosovës. Së dyti, që akuzat nga ‘Gjykata Speciale’ të mos shihen si çështje e ndikimeve nga brenda Kosovës, në mënyrë që të shmanget mundësia e shkaktimit të problemeve brendashqiptare në periudhën e mëpastajme”, ka shtuar ai.

Gjatë procesit të diskutimeve për Specialen, autoritetet e Kosovës kishin shtruar edhe një kërkesë në tryezë – koha kur do të shpalleshin aktakuzat e para të dakordohej me institucionet vendore. Kjo, nën arsyen për ta përgatitur publikun paraprakisht me këtë zhvillim, e më pastaj për të marrë edhe masa sigurie në kuptim të përballimit të tensioneve të mundshme.

Në Qeveri dhe as në Polici nuk kanë treguar nëse kanë një strategji për të tillë situatë. Në lidhje me këtë, gazeta ka adresuar gjatë ditës pyetje tek, Faton Abdullahu, këshilltar për media i kryeministrit Isa Mustafa, e edhe te Baki Kelani, zëdhënës i Policisë. Asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.

PDK-ja shihet si subjekti që më së shumti do të atakohet nga Specialja. Kjo për shkakun që emra të eksponentëve të saj që kanë qenë në krye të UÇK-së, janë përmendur në raportin e senatorit Martty si përgjegjës për disa krime që pretendohen të jenë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës, e të cilat do të trajtohen nga kjo gjykatë që përbëhet vetëm nga ndërkombëtarët. Qeveria në largim qeveriset nga PDK-ja dhe LDK-ja. Kësaj të fundit shumë veprimtarë i janë vrarë paslufte. Ato janë trajtuar si vrasje politike dhe gishti në të shumtën e rasteve është drejtuar nga njerëzit e PDK-së. Vrasjet për motive politike do të hetohen nga Specialja.

Ka një aspekt ku autoritetet kosovare janë përgatitur që proceset gjyqësore të Speciales të nisin këtë vit. Gjatë hartimit të Buxhetit të 2017-s, në momentin e fundit Qeveria pati bërë tri ndryshime. Nëpërmjet njërit prej tyre është hapur program i ri në Ministrinë e Drejtësisë. Për qëllime të mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara janë ndarë mjete në shumën prej 1.5 milionë euro.

Exit mobile version