Një varrezë myslimane në Australi është vandalizuar me koka derri të prera, një ditë pas një sulmi të armatosur masiv në një plazh në Sidnej, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Një video e publikuar sot tregoi se varreza myslimane në lagjen Narellan, në jugperëndim të Sidnejit, ishte dëmtuar me koka dhe pjesë trupi derri të therur, pas të shtënave masive në plazhin Bondi, sipas portalit lokal të lajmeve “news.com.au”.
Në një deklaratë, policia tha se ka marrë raportime për mbetje kafshësh të lëna në hyrje të një varreze në rrugën Richardson, në Narellan.
“Policia doli në vendngjarje dhe gjeti disa koka derri. Menjëherë u nis një hetim për incidentin”, thuhet në deklaratë.
“Kokat e derrit janë hequr dhe janë asgjësuar në mënyrë të përshtatshme”, shtoi policia, duke theksuar se hetimet për rastin janë ende në vazhdim.
Ngjarja vjen një ditë pasi policia australiane njoftoi se dy autorë, një burrë 50-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar, hapën zjarr përgjatë plazhit Bondi në Sidnej të dielën, duke vrarë 15 persona dhe plagosur 42 të tjerë, të cilët u dërguan në spital për trajtim.
Njëri nga dy sulmuesit u vra, ndërsa tjetri pësoi plagë kritike, thanë autoritetet, duke e cilësuar incidentin si “akt terrorist”.
