Dita e dytë dhe e fundit e bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe përfundoi të shtunën, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA raportoi se bisedimet në kryeqytetin emiratas kanë përfunduar dhe se delegacioni i Moskës, i udhëhequr nga Igor Kostyukov, shefi i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse, është kthyer në hotelin ku po qëndron.
Po ashtu u raportua se përfaqësuesit e delegacionit amerikan, të cilët morën pjesë në bisedime, janë nisur drejt aeroportit pas përfundimit të negociatave.
Edhe transmetuesi publik ukrainas “Suspilne” konfirmoi, duke cituar një burim nga delegacioni i Kievit, se bisedimet kanë përfunduar dhe se ato zgjatën më shumë se tre orë.
Ende nuk ka pasur një deklaratë zyrtare pas përfundimit të bisedimeve.
Megjithatë, korrespondenti i Axios-it, Barak Ravid, shkroi në platformën X se zyrtarë ukrainas i kanë thënë se bisedimet ishin “pozitive” dhe “konstruktive”, duke shtuar se një raund tjetër negociatash do të mbahet në Abu Dhabi “javën e ardhshme”.
Rustem Umerov, kreu i delegacionit ukrainas, shkroi në platfornën sociale amerikane Facebook pas ditës së parë të bisedimeve të premten se negociatat janë të fokusuara në përcaktimin e parametrave për përfundimin e luftës me “një paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme”.
Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u tha gazetarëve se çështja e rajonit të Donbasit do të jetë “kyç” gjatë bisedimeve trepalëshe.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, i cili muajin e ardhshëm hyn në vitin e katërt, “po përparojnë”.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të asaj që e quajti “formula e Anchorage-it”, duke iu referuar takimit ballë për ballë të mbajtur në gusht të vitit të kaluar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Alaskë.
