Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përleshje të reja mes Tajlandës dhe Kamboxhias në kufi

Përleshje të reja mes Tajlandës dhe Kamboxhias në kufi

Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë rindezur në një zonë kufitare të kontestuar, duke tronditur armëpushimin e brishtë të arritur muaj më parë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, dy civilë kamboxhianë u vranë gjatë natës kur ushtria tajlandeze bombardoi provincën kufitare Banteay Meanchey. Në total, Kamboxhia raporton 7 të vrarë dhe 20 të plagosur që nga shpërthimi i luftimeve të dielën.

Ushtria tajlandeze njoftoi se dy ushtarë të tjerë të saj janë vrarë, duke e çuar në tre numrin e ushtarëve të vrarë prej së dielës. Tajlanda akuzoi gjithashtu Kamboxhian për bombardimin e dy shtëpive civile në provincën Sa Kaeo, pa shkaktuar viktima.

Kamboxhia deklaroi se Tajlanda nisi sulme të reja kufitare rreth orës 05:00, përfshirë zonën pranë tempullit Preah Vihear, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe tempuj të tjerë të lashtë.

Përleshjet e fundit përbëjnë përshkallëzimin më të ri të një konflikti të gjatë kufitar, i cili në korrik çoi në pesë ditë luftime ku u vranë 48 persona. Autoritetet të dy vendeve akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit. /mesazhi

Exit mobile version