Reshjet e dendura dhe intensive gjatë mbrëmjes së të shtunës, kanë shkaktuar probleme në shumë vendbanime të qytetit të Shkupit, Kërçovës, Tetovës dhe Gostivarit. Sa i përket rajonit të Shkupit, fshatrat Bukoviç, Arnaqi dhe Semenisht në komunën e Sarajit janë përfshirë nga përmbytje. Sipas pamjeve nga terreni, disa rrugë janë mbuluar nga uji, ndërsa sipërfaqe të tëra fushash janë përmbytur, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe qarkullimin në këto vendbanime rurale.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, z. Muhamed Ali, së bashku me kryetarin e Komunës së Sarajt, z. Muhamed Elmazi, kanë dalë të terren për të parë nga afër situatën pas reshjeve të dendura, në mënyrë që të koordinojnë të gjithë reagimin institucional për përballimin e pasojave të përmbytjeve.
“Gjendje krize në disa vendbanime të Komunës së Sarajit. Që nga mëngjesi, së bashku me ekipet gjegjëse relevante në shteti jemi në terren, shtabi i krizës në kuadër të komunës ka mbajt mbledhje dhe komisioni ka dal veç më në terren për të vlerësuar dëmet që u janë bërë banorëve”.
Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se, ekipet e Brigadës për Mbrojtjen nga Zjarri të Qytetit të Shkupit, së bashku me NJTZ Tetovë, kryejnë pompimin e ujit nga objektet e përmbytura dhe pastrimin e zonave kritike, ndërsa NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup” stabilizon dhe pastron rrjetin e kanalizimeve për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.
Shirat e dendur po ashtu shkaktuan përmbytjen e lumit Zajashka në Kërçovë, ku u përfshinë disa shtëpi. Rreth 180 persona u evakuuan dhe u vendosën në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. U regjistrua gjithashtu grumbullim uji në rrugën “29 Nëntori” në lagjen Podvarosh, ku u përmbytën disa bodrume si dhe u përmbytën edhe disa objekte të spitalit në Kërçovë.
Në terren ndërhynë ekipe të OMB Kërçovë, NP “Komunalec” dhe shërbime të tjera kompetente. Janë informuar kryetari i Komunës së Kerçovës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Në Tetovë, është raportuar rrëshqitje dhe bllokim i rrugës Tetovë – fshati Xhermë, ku trafiku është ndaluar. Që nga ora 07:45 në rrugën Tetovë – Mali Sharrit është vendosur ndalim për automjete të rënda dhe autobusë për shkak të reshjeve të borës. Në Gostivar dhe fshatrat përreth janë raportuar përmbytje të shtëpive në fshatin Belovishte, si dhe në lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Raportohet edhe bllokim i kanalit në fshatin Balindol, ku u përmbytën disa shtëpi.
