Përmbytjet dhe rrëshqitjet e mëdha të dheut në Indonezi kanë lënë rreth 1.200 persona të vdekur dhe të zhdukur deri të hënën, tregojnë të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive të Indonezisë, transmeton Anadolu.
Përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe ciklonet e paprecedentë kanë shkaktuar shkatërrime të gjera në të gjithë Azinë. Indonezia është goditur më rëndë, e ndjekur nga Sri Lanka.
Agjencia e fatkeqësive të Indonezisë tha se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut vetëm në ishullin e Sumatrës vranë 961 persona, me 234 ende të zhdukur dhe rreth 5.000 të plagosur, dhe se operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar.
Më shumë se 3.2 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet shkatërruese të dheut, ndërsa mbi 1 milion banorë u zhvendosën në zona të sigurta në provincat e goditura nga përmbytjet e Sumatrës Veriore, Sumatrës Perëndimore dhe Aceh.
Presidenti indonezian, Prabowo Subianto, theksoi angazhimin e qeverisë për të mobilizuar të gjitha burimet dhe fondet e disponueshme për të mbështetur komunitetet e prekura, sipas agjencisë shtetërore “Antara News”.
Më parë, Prabowo tha se vendi planifikon të blejë deri në 200 helikopterë në vitin 2026, si për mbrojtje ashtu edhe për përgatitje për fatkeqësi natyrore.
Në Sri Lanka, numri i të vdekurve nga Cikloni Ditwah është rritur në 627, me 190 persona ende të zhdukur që nga stuhia që goditi më 17 nëntor, sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive.
OKB-ja tha javën e kaluar se të paktën 185 persona kanë vdekur në Tajlandën jugore, ndërsa 367 të tjerë mbeten të zhdukur. Katër vdekje u raportuan gjithashtu në Indi dhe tre në Malajzi për shkak të kushteve të këqija të motit.
