Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Personi që goditi presidentin francez Macron dënohet me 18 muaj burgim

Personi që goditi presidentin francez Macron dënohet me 18 muaj burgim

Sulmuesi që goditi me shuplakë presidentin francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në qytetin Tain-l’Hermitage në Francë u dënua me 18 muaj burg, prej të cilave 14 muaj janë pezulluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në rastin e proceduar në Gjykatën Penale në Valence, prokurori Alex Perrin kërkoi që sulmuesi Damien Tarel të dënohet me 18 muaj burg.

Prokurori Perrin gjithashtu kërkoi që 28-vjeçari Tarel të ndalohet të mbajë funksione publike dhe të votojë dhe që ai të ndalohet të ketë armë për pesë vjet.

Në mbrojtjen e tij, Tarel tha se Macron përfaqëson rënien e vendit dhe se ai nuk e kishte planifikuar shuplakën paraprakisht.

Gjykata e dënoi Tarel-in me 18 muaj burg dhe pezulloi 14 muaj të dënimit.

Tarel u dërgua në burg për të kryer katër muaj të dënimit.

Ligji francez parashikon një maksimum prej 3 vitesh burgim dhe një gjobë prej 45.000 eurosh për krime të ngjashme.

Ndryshe, pasi vizitoi një shkollë të mesme të turizmit dhe hotelerisë në qytetin Tain-l’Hermitage, Macron iu afrua turmës që priste për t’u përshëndetur. Personi që iu afrua presidentit Macron i mbajti krahun me njërën dorë dhe e goditi me dorën tjetër. /aa

Exit mobile version