Betim Bregovina është me profesion psikolog dhe i punësuar në shkollën “Nexhmi Mustafa” në Besi të Prishtinës. Ai ësthë i verbër dhe në një intervistë për KALLXO.com ka treguar sfidat e barrierat jetësore që e kanë përcjellë që prej studimeve e deri te punësimi i tij si psikolog në fshatin Besi, duke mbuluar njëkohësisht edhe shkollat e fshatrave Prugoc, Rimanishtë dhe Lebanë.
Bregovina tregoi se rrugëtimi i tij akademik dhe jetësor ka qenë i gjatë dhe i mbushur me pengesa. Mes sfidave të shumta fizike, ai është përballur edhe me varfërinë ekonomike, diskriminimin e paragjykimet e shoqërisë.
Ai tregoi se arriti të përfundojë tre herë studime bazike dhe dy herë studime të nivelit master në fushat e psikologjisë dhe pedagogjisë.
“Me të përfunduar shkollën e mesme të lartë për fizioterapi në vitin 2008, kam filluar menjëherë studimet për psikologji të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës deri në vitin 2011. Pastaj kam vazhduar menjëherë me pedagogjinë e përgjithshme, baçelorin e dytë. Kah fundi i baçelorit të dytë, në vitin 2013 kam filluar masterin për psikologji shkollore dhe këshillim. Pas përfundimit të këtyre kam përfunduar programin për avancim të pedagogëve në vitin 2021, edhe kam përfunduar gjithashtu masterin për pedagogji të përgjithshme teoriko-shkencore në Fakultetin e Edukimit. Kështu që i bie, nja tre herë studime bazike edhe dy herë studime të shkallës së tretë, ose studime post-diplomike.” – tha Bregovina.
Për të gjitha këto, ai tha se kanë qenë motivi, sfidat e varfëria ekonomike e familjes që e kanë mbajtur më të fortë për të vazhduar më tej.
Pas përfundimit të studimeve Bregovina tregoi se e ka pranuar rëndë emocionalisht faktin se po paragjykohet e diskriminohet nga të tjerët. Ai tha se kjo e ka përgatitur për vështirësitë që ai do t’i hasë për t’u punësuar.
Aktualisht Betim Bregovina punon si psikolog në shkollë, e për këtë ai tha se puna është vetë jeta e tij.
“Për mua është vetë jeta. Rreth 500 nxënës i kam “Nexhmi Mustafa”. Po nuk kalon muaji, e jo vetëm gjysmë-vjetori, por nuk kalon muaji ndoshta pa pasë kontakt fizik me mbi 70 për qindëshin e nxënësve. Edhe pranimi, edukimi i komunitetit që e kam filluar para tre vjetëve, edukimi i stafit me rolin e psikologut, edhe pranueshmëria e nxënësve që kanë për mua, edhe lehtësimi i disa vështirësive që ua mundësoj në këtë rast unë në rolin e psikologut, kjo më bën të ndihem shumë i përmbushur.” – u shpreh Bregovina.
Tutje, ai tregoi edhe për lidhjen e veçantë që ka krijuar me nxënësit e shkollës. Sipas tij, nuk ka mundësi që ai të dalë jashtë zyrës së tij pa ia kërkuar përqafimin plotë nxënës.
“Lidhja me nxënësit përveç pjesës profesionale, unë këta i kam shokë edhe shoqe prej parafillores deri te klasat e nënta. Nuk kam mundësi unë me dalë me e përshku korridorin e dy kateve edhe me dalë në oborr me shku diku, pa ma zënë rrugën e pa ma kërku përqafimin të paktën 20-30 nxënës. Domethënë, ajo dashuria e pakushtëzuar që më adhurojnë këta fëmijë, për mua është gjëja që nuk ka mundësi me u kompensu. Domethënë të gjitha vështirësitë e rreth 11 viteve aktive në universitet si student, veç një përqafim i nxënësve ma paguan krejt vështirësinë e 11 vjetëve.” – potencoi Bregovina.
Përtej angazhimit si psikolog, ai është i dhënë edhe pas letërsisë, një rrugëtim të cilin e nisi në nëntor të vitit 2002. Deri më sot, ai numëron rreth 22 tituj të botuar si autor dhe bashkautor, duke shkruar për tema të larmishme që nisin nga folklori e trashëgimia autoktone shqiptare, e deri te sfidat emocionale të adoleshentëve.
“Pra, në fund të vitit 2024 e kam botu romanin e parë. Shkruaj për lloj-lloj temash, për shumëçka. Po më së shumti më pëlqejnë këto temat rinore të adoleshentëve “Më pëlqeu”, “Më nguci”, “Më shkruajti”, “S’më shkruajti, “Ma ka thy zemrën”, “S’ma ka thy zemrën”. Domethënë, gjërat më emocionale më pëlqejnë, nëse flasim për shkrimin. Po nëse flasim për ato gjërat e tjera të artit, unë e pëlqej shumë edhe pjesën tradicionale, traditat, odat, kështjellat, kalatë, objektet deri te detajet më të vogla të trashëgimisë kulturore tonën, të autoktonisë si shqiptar.” – u shpreh ai.
Bregovina tregoi se nëse vetëm një individ e motivon storia e tij jetësore e profesionale, atëherë “ai e ka kryer misionin e jetës”.
“Osho, në “Librin e portokalltë” për teknikat e meditimit, e ka një thënie, thotë kështu: “Do të doja të kujtohesha së paku për një gjë të mirë”. Edhe unë me këtë intervistë, me këtë bashkëbisedim sot, por edhe në përgjithësi në jetën profesionale, pasionale, personale, kisha dashtë që nëse veç një rast, veç një familje, veç një individ e motivoj qoftë edhe në një moment të vështirë, të bëhem shkak për t’jua lehtësuar, unë e konsideroj që e kam kryer misionin e jetës. Kështu që, nëse asgjë s’mbërrijmë me bë për njerëzit, mundemi një diçka me e bë, me tregu dashuri, edhe me leju që fjala jonë, dora jonë, shikimi, dëgjimi, nijeti jonë me qenë për t’ia lehtësu dikujt një vështirësi.” – deklaroi Betim Bregovina.
Ardhjen e psikologut në shkollë e kanë mirëpritur drejtoria e nxënësit e shkollës. Nxënës e kolegë të tij thanë se ardhja e tij ka sjellë një frymë pozitive e mbështetëse për ta.
Xhevrie Osmani, drejtoreshë në shkollën “Nexhmi Mustafa” tha se disa kushte elementare janë plotësuar për të ia lehtësuar punën Bregovinës, mirëpo sa u përket kushteve infrastrukturore, Osmani tha se ende nuk është punuar asgjë.
“Brenda ku ai punon edhe vepron pak a shumë, janë plotësuar disa prej kushteve, kompjuteri, printeri, këto krejt çka i duhen me kry punë. Përndryshe nga ana infrastrukturore e objektit, jo, nuk është punuar kurgjë. Jemi mësuar që duhet psikologu. Edhe unë e kam parë, edhe prindërit, edhe fëmijët më nuk e kanë tabu emrin “psikolog”. Fëmijët sot, përveç referimeve që u bëjnë edhe prindërit dhe mësimdhënësit, ndodh shpeshherë paraqiten edhe vetë, për ndonjërin prej problemeve që ata e ndiejnë me shku vetë.” – tha Osmani.
Ndërsa, nxënësja Puhiza Osmani tha se nxënësit së bashku me psikologun Bregovina gëzojnë raporte të mira me njëri-tjetrin.
“Raporti i nxënësve me psikologun sot është shumë i mirë, për shkak se psikologu gjithmonë merret me ne me seriozitet edhe, domethënë, flet me ne, na këshillon për brengat dhe për krejt shqetësimet tona, dhe mban seanca të rregullta me ne.” – u shpreh Puhiza Osmani.
Nora Osmani/Kallxo.com
