Ballina Lajmet Kosovë Përurohet fabrika e ujit në Shkabaj, nga sot Prishtina 24 orë me...

Përurohet fabrika e ujit në Shkabaj, nga sot Prishtina 24 orë me ujë

Është bërë inaugurimi i Fabrikës së re për përpunimin e ujit në Shkabaj, për të cilën u tha se i jep fund problemit me furnizim me ujë për kryeqytetin dhe komunat e tjera të rajonit.

Gjatë përurimit u theksua se përurimi i kësaj fabrike është një kryevepër në sektorin e ujërave, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ceremoni, pjesëmarrës ishim kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; kryeministri Isa Mustafa; ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci; kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti; shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova; ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, dhe drejtori i KFW-së, Roland Siller.

Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se ndihet me fat që është kryeshef i kësaj kompanie.

“Projekti që po e përurojmë sot është vazhdimi i fazës një dy dhe faza tre. Me këtë projekt do të përfitojnë shumë komuna por gjithsesi neve na mbetet të punojmë me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për konsumatorët” ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se kjo fabrikë do tu krijojë qytetarëve të Prishtinës 24 orë ujë.

“Sot jemi para  një momenti ku do të bëhet përurimi i kësaj fabrike për të cilën duhet të jenë të sigurt të gjithë se do të kenë ujë 24 orë ujë në ditë. Por ajo që është më kryesore nuk do të jetë më narrativ që kur të vijnë mysafirët e t’u themi nuk ka ujë pas orës 12”, ka thënë ai.

Ai ka falënderuar shtetin gjerman për ofrimin e bashkëpunimit.

“Kjo është ajo që duhet të merremi, jo me akuza e kundërakuza, por me projekte të tilla, qytetarët duan ujë të pijshëm dhe ky është problemi me të cilin ballafaqohemi”, shtoi Veseli.

Kryeministri Isa Mustafa tha se sot po promovohet njëri prej investimeve më të mëdha.

“Është kënaqësi që ne po zgjidhim problemet më të mëdha për qytetarët si problemin e ujit, të energjisë e të ngrohjes. Me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i Prishtinës, por edhe të komunave që janë përreth. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur obligimet. Nuk ka gjë më të mirë që qytetarëve t’u sigurohet uji”, theksoi Mustafa.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se sot po përurohet një kryevepër më sektorin e ujërave.

“Ne sivjet pas zgjidhjes së problemit të ngrohjes dhe ujit do të bëjmë edhe zgjidhjen me energji. Sot energjia dhe uji janë produktet më të rëndësishme dhe janë burimet kryesore të jetës sonë”, tha Stavileci.

Sipas tij, në total do të përfitojnë shumë komuna si ajo e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës e komuna të tjera.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, theksoi se kjo e benë ndryshim në jetën e të gjithëve.

“Ky është një projekt më i madh i ujërave në Kosovë. E kuptoj se më parë uji ka qenë prej 8 deri në 12 orë ujë ndërsa tani kjo do të zgjidhët. Fabrika do të ngrit zhvillimin ekonomik në rajon. BE-ja gjithashtu i ka ndihmuar Kosovës më sektorin e ambientit. BE-ja është këtu që të japë dorën në procesin e ndërtimit të një shoqërie më prosperuese në Kosovë. Pres me padurim që t’i bashkojmë forcat në zhvillim të Kosovës”, ka thënë ajo.

Shpend Ahmeti kryetar i Komunës së Prishtinës tha se në këto ditë kur lajmet janë të zymta “një lajm si ky sot është një ndër më të mirat për qytetarët e Prishtinës”.

“Çdo sondazh që kemi bërë ka dalë që problemi me ujë është më i madhi. E kemi prit këtë ditë. Sot ia shtojmë 700 litra në sekondë ujë qytetarëve”, ka thënë ai.

“Në dy vitet e para të këtij projekti e kemi ditur sa kemi hequr dhe me këtë po e përfundojmë një projekt që është kontribut i të gjithëve. Në veçanti dua të falënderoj qytetarët për durimin e tyre”, ka thënë ai.

Ndërtimi i Fabrikës e re të ujit të pijshëm në Shkabaj kap vlerën prej 35 milionë euro. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Kosovës me 5 milionë euro dhe 20 milionë KRU “Prishtina” kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Kosovës.

Ky projekt vlerësohet se do të rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Projekti përmban komponentët: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues.

Exit mobile version