Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pesë palestinezë vriten në sulmet e fundit izraelite në Gaza

Pesë palestinezë vriten në sulmet e fundit izraelite në Gaza

Të paktën pesë palestinezë, mes tyre një vajzë nëntëvjeçare, u vranë të dielën në sulmet e fundit izraelite në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Sipas burimeve mjekësore, Tala Abu Matar humbi jetën pasi ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një kampi të të zhvendosurve në lindje të kampit të refugjatëve Al-Bureij, në pjesën qendrore të Gazës.

Në një incident tjetër, një sulm me dron ndaj një punishteje në lagjen Sabra të qytetit të Gazës vrau katër palestinezë dhe plagosi një tjetër. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte goditur zonën, duke deklaruar se objektiv ishte “infrastrukturë terroriste”, pa dhënë detaje të tjera.

Ndërkohë, një palestinez vdiq nga plagët e marra gjatë të shtënave izraelite pranë kampit Al-Bureij të premten, ndërsa një tjetër humbi jetën nga plagët e shkaktuara në një sulm me dron në lindje të Khan Younis.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor 2025, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1.098 palestinezë dhe kanë plagosur 3.535 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë, në Kajro kanë vazhduar bisedimet mes drejtuesve të Hamasit dhe ndërmjetësve për zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën. Sipas burimeve pranë negociatave, diskutimet përfshijnë çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite, por deri tani nuk është arritur ndonjë përparim.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njofton se që nga tetori i vitit 2023, numri i palestinezëve të vrarë nga lufta izraelite ka arritur në të paktën 73.118. /mesazhi

Exit mobile version