Ballina Artikuj Pesë prirjet e natyres njerëzore

Pesë prirjet e natyres njerëzore

Hoxhë Halil Avdulli

Imam Gazali klasifikon natyrën njerëzore në pesë prirje që formojnë kompleksitetin moral të
individit:
1. Prirjet qiellore
Këto prirje janë shprehje e vlerave të përjetshme morale dhe shpirtërore. Ato e afrojnë njeriun te mirësia, dhurimi i pa rezervë, dhe vlera sublime qe rrënjet i kanë Hyjnore. Prirja hyjnore është qendra e moralit të ngritur, që orienton individin drejt të mirës absolute.
2. Prirjet melekor
Prirjet engjëllore përfaqësojnë pastërtinë shpirtërore, dashuri për të mirën, lëvdimit të Zotit, të mësuarit, virtyteve të larta dhe afrimit ndaj Allahut. Ato ngjajnë me veprimin e engjëjve që nxisin drejtësinë dhe paqen. Kjo prirje simbolizon dimensionin etik të ndërgjegjes, aftësinë e njeriut për të zgjedhur vullnetarisht të mirën.
3. Prirjet djallëzore
Këto prirje nxisin njeriun drejt të keqes, tundimit dhe largimit nga moraliteti. Prej saj lindin zili, dhunë, mashtrim, intrigë, gënjeshtër, dredhi dhe përdorimi i arsyes për të shërbyer së keqes. Ato janë një sfidë e vazhdueshme ndaj shpirtit, dhe janë provë e lirisë së zgjedhjes: njeriu mund t’i kapërcejë vetëm me arsyen dhe vetëdijen morale.
4. Prirjet kafshërore
Këto janë dëshirat e trupit: ushqimi, pija, gjumi dhe kënaqësitë trupore. Ato nuk janë të këqija në vetvete, por bëhen problem kur njeriu i lejon të sundojnë racionalitetin dhe shpirtin. Kontrolli mbi trupin është pjesë e zhvillimit filozofik dhe moral.
5. Prirjet e egra
Këto prirje lidhen me fuqinë, sundimin dhe hakmarrjen. Ato manifestojnë instinktin për dominim dhe agresion, duke sfiduar etikën dhe harmoninë shoqërore. Për Imam Gazalin, ato janë prirjet më të rrezikshme, sepse shfaqin urrejtjen dhe kapjen pas pushtetit si forcë shkatërruese morale.

Roli i arsyes dhe vetëdijes morale e shpirtërore
Në qendër të filozofisë së Gazalit qëndron: instrumenti i arsyes dhe i vetëdijes morale që mbikqyr dhe harmonizon pesë prirjet.
Keto dy instrumente janë forca që:
1. Drejtojnë njeriun drejt prirjeve hyjnore dhe engjëllore.
2. Kufizojnë ndikimin e prirjeve djallëzore, kafshërore dhe të egra.
3. Sigurojnë që individi të mos bëhet rob i impulsit të padisiplinuar dhe veprave amorale.
Fetarisht, kjo tregon se virtyti dhe moraliteti nuk janë instinktivë, por arrihen përmes vetëdijes, disiplinës dhe ekuilibrit të brendshëm. Për Ebu Hamid el Gazalin, njeriu është një qenie e lartë, jo sepse është e lirë nga dëshirat, por sepse ka kapacitetin të kontrollojë dhe sublimojë këto dëshira përmes arsyes.
Pesë prirjet e Gazalit nuk janë thjesht tipare psikologjike; ato përbëjnë modelin e shpirtit njerëzor, ku çdo njeri duhet të punojë për ekuilibrin mes dëshirave, moralit dhe racionalitetit. Arsyeja është ura që lidh trupin me shpirtin, impulsin me etikën, dëshirën me drejtësinë.

Exit mobile version