Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pikat kryesore të marrëveshjes SHBA-Izrael-Liban

Pikat kryesore të marrëveshjes SHBA-Izrael-Liban

A do të garantojë ajo paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme?

Uashingtoni publikoi tekstin e një marrëveshjeje trepalëshe mes Izraelit, Libanit dhe Shteteve të Bashkuara, e cila synon t’i japë fund armiqësive në kufirin izraelito-libanez, një front që është shndërruar në një nga pikat më të nxehta të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja, e nënshkruar në Uashington nga zyrtarë të Izraelit, Libanit dhe SHBA-së, synon “arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme” mes dy vendeve fqinje dhe përbëhet nga 14 pika kryesore.

Paqe e qëndrueshme
Izraeli dhe Libani, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, riafirmojnë angazhimin e tyre për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Dy shtetet deklarojnë synimin për t’i dhënë fund konfliktit, për të trajtuar shkaqet rrënjësore të tij dhe për të përmbyllur zyrtarisht gjendjen e luftës mes tyre.

Çarmatim i verifikuar
Marrëveshja parashikon përparim të pakthyeshëm drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve mes Izraelit dhe Libanit përmes bisedimeve të drejtpërdrejta dypalëshe, të ndërmjetësuara dhe të mbështetura nga SHBA-ja.

Forcat e Armatosura Libaneze (LAF) do të rivendosin kontrollin efektiv mbi të gjithë territorin e Libanit, pasi të përfundojë çarmatimi i verifikuar i grupeve të armatosura jo-shtetërore dhe çmontimi i infrastrukturës së tyre ushtarake.

Si pjesë e këtij procesi, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të tërhiqen gradualisht nga territori libanez, sipas një mekanizmi të verifikueshëm.

Zonat pilot
Marrëveshja parashikon krijimin e zonave pilot, ku Forcat e Armatosura Libaneze do të marrin gradualisht përgjegjësinë e plotë për sigurinë.

Në këto zona do të realizohen tërheqja fazore e forcave izraelite dhe vendosja e ushtrisë libaneze. Dy zonat e para janë miratuar tashmë, ndërsa zonat e tjera do të përcaktohen me marrëveshje të ndërsjellë.

Pas konfirmimit të çarmatimit të grupeve të armatosura jo-shtetërore, veçanërisht Hezbollahut të mbështetur nga Irani, autoritetet libaneze do të marrin kontrollin e plotë të sigurisë.

Marrëveshja parashikon gjithashtu nisjen e programeve ndërkombëtare të rindërtimit dhe kthimin e sigurt të civilëve në zonat e prekura, të cilat do të administrohen ekskluzivisht nga autoritetet shtetërore të Libanit. SHBA-ja angazhohet të mbështesë dhe verifikojë zbatimin e këtij procesi.

Grupe pune për marrëveshjen e paqes
Qeveria e Libanit riafirmon angazhimin për të rivendosur sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e vendit, duke rikthyer monopolin e shtetit mbi përdorimin e forcës dhe duke çarmatosur plotësisht të gjitha grupet e armatosura jo-shtetërore.

Për këtë proces, Bejruti kërkon mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht vendeve arabe dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Izraeli dhe Libani do të krijojnë grupe të përbashkëta pune për hartimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje dhe sigurie, si dhe mekanizma të përhershëm për dialog të drejtpërdrejtë, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Izraeli: Nuk kemi ambicie territoriale
Në marrëveshje, Izraeli deklaron se operacionet e tij ushtarake në Liban kanë qenë përgjigje ndaj sulmeve dhe kërcënimeve të grupeve të armatosura jo-shtetërore, veçanërisht Hezbollahut.

Sipas dokumentit, eliminimi i këtij kërcënimi, përmes çarmatimit të grupeve të armatosura dhe marrëveshjeve të reja të sigurisë mes dy vendeve, do të bëjë të panevojshme çdo prani të ardhshme të ushtrisë izraelite në territorin libanez.

Qeveria izraelite thekson gjithashtu se “nuk ka asnjë ambicie territoriale ndaj Libanit”. Mbetet të shihet se sa do të mbajë kjo marrëveshje.\tesheshi

Exit mobile version