Pas humbjes 1–0 ndaj Shqipërisë në Leskovc, për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojković – Piksi, njoftoi se ka ofruar dorëheqjen nga posti i trajnerit.
Në konferencën për shtyp, Piksi tha se ka biseduar me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës dhe u ka paraqitur dorëheqjen, duke marrë përsipër përgjegjësinë e plotë për disfatën.
“Nuk e prisja këtë humbje, sidomos kundër rivalit kryesor për vendin e dytë. Jam i vetmi fajtor. Më vjen keq për tifozët dhe ekipin. Si person përgjegjës, e kam ofruar dorëheqjen,” tha ai.
Ai shtoi se nuk do të udhëtojë me ekipin në ndeshjen e radhës kundër Andorrës, e cila do të drejtohet nga ndihmësi i tij, Goran Đorović. /mesazhi
