Plani franko-gjerman, i njohur edhe si plani “evropian”, për ta zgjidhur çështjen politike mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të intensifikohet në fillim të janarit. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Francës dhe Gjermanisë, pritet që javën e ardhshme ta vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes.
I dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së bashku me Emmanuel Bonnin, të dërguarin e presidentit francez dhe Jens Pletnerin, të dërguarin e kancelarit gjerman, pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin gjatë javës së ardhshme.
Qëllimi i kësaj vizite pritet të jetë fillimi i negociatave për zgjidhjen politike mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në planin “evropian”.
Intensifikim të dialogut në janar kishte paralajmëruar edhe Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, në një intervistë në “Interaktiv” më 30 dhjetor.
Qysh në fund të verës, në opinion kanë qarkulluar informacione për ekzistencën e propozimit që fillimisht u quajt si plani franko-gjerman, por, deri së voni, ato nuk janë konfirmuar nga zyrtarët e BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar këtë propozim si një bazë të mirë për të nisur negociatat për marrëveshje finale. Por jo edhe pala serbe, që e ka quajtur “të papranueshëm” propozimin.
Të martën, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se synimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë, por se kjo aktualisht s’është e mundur.