Konfirmimi: Emiratet, dora e Izraelit për të mposhtur të pamposhturit
Senatori amerikan Lindsey Graham, një nga zyrtarët më ekstremistë amerikanë, një njeri që ëndërron të krijojë një “Izrael të Madh”, tha në një intervistë me Kanalin 14 të Izraelit se Izraeli nuk mund ta pushtojë me sukses Gazën pa përfshirjen e Emirateve dhe Arabisë Saudite.
“Izraeli nuk mund ta pushtojë me sukses Rripin e Gazës. Do të duhet përfshirja e shteteve arabe, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite, me aftësitë dhe burimet e tyre, për të marrë pjesë në ndërtimin e një Gaze të re dhe për t’u mësuar fëmijëve tolerancën në vend të urrejtjes. Unë besoj se çelësi qëndron te Mohammed bin Zayed, aleati i shquar i Izraelit, i cili do të ndihmojë që Gaza të ngjajë më shumë me Emiratet e Bashkuara Arabe. Pra, Katari, Turqia, Indonezia, nuk do t’i shohim në Rripin e Gazës? Ato nuk janë as afër aq të rëndësishme sa Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Ne shkatërruam Gjermaninë dhe Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga hiri u ngritën dy demokraci që janë aleate të Shteteve të Bashkuara. Epo, u desh shumë kohë. Do të duhet shumë kohë për të ndryshuar radikalizmin që është trashëguar brez pas brezi në Gaza. Njerëzit më të radikalizuar në planet janë në Gaza”, tha Graham.
Në planet e SHBA-së për ndërtimin e një Gaze të re, të cilat u zbuluan më parë këtë vit nga dhëndri i Trump, Jared Kushner, Emiratet do të luajnë një rol kyç në edukimin e një brezi të ri palestinezësh. Planet përcaktojnë se një nga kushtet për të jetuar në Gazën e re do të jetë që palestinezët duhet të ndjekin një kurrikulë arsimore të përgatitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pushtimi izraelit është një nga format më të neveritshme të pushtimit të njohura nga njerëzimi; ai synon t’i zhveshë palestinezët nga historia, kultura, zakonet dhe toka e tyre, duke i vjedhur ato për vete dhe duke i përvetësuar si të vetat. Ai synon ta bëjë palestinezin që nuk vritet të pavlerë, pa identitet dhe shërbëtor të një populli të zgjedhur. /tesheshi
