Për sa kohë që pushtimi vazhdon, çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme mbetet e destinuar të dështojë
Nga Kamal Alaqad
Prej dy vitesh, regjimi pushtues izraelit po kryen akte gjenocidi kundër palestinezëve në Gaza. Ky regjim ka zbatuar pothuajse çdo metodë që përkufizohet si gjenocid: përdorimin e urisë si armë kundër popullsisë palestineze, zhvendosjen masive të banorëve të Gazës, kryerjen e masakrave të shumta, shkatërrimin e plotë të infrastrukturës, bllokimin e hyrjes së ndihmave humanitare dhe privimin nga nevojat bazë, shënjestrimin e gazetarëve dhe punonjësve humanitarë, si dhe shkatërrimin e spitaleve, shkollave dhe institucioneve publike. Të gjitha këto, së bashku me praktika të tjera konkrete dhe diskursive të bazuara në logjikën e gjenocidit, përbëjnë elementët kryesorë të kësaj politike. Në këtë kontekst, numri i viktimave në Gaza ka kaluar 67 mijë, qindra mijëra persona janë plagosur, mijëra familje janë zhdukur nga regjistrat civilë, ndërsa lagje të tëra janë rrafshuar komplet.
Komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme parandaluese, qoftë në planin politik apo juridik, për ta ndalur këtë gjenocid që vijon prej (më shumë se, shp.) dy vitesh. Së fundmi, disa shtete kanë ndërmarrë iniciativa për zgjidhjen e çështjes palestineze, edhe pse gjenocidi ishte ende në zhvillim. Në këtë kuadër, gjatë Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhjetë shtete — ndër to Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja — njohën zyrtarisht Shtetin e Palestinës. Nga ana tjetër, regjimi pushtues izraelit i hodhi poshtë këto njohje, duke refuzuar në çdo formë pranimin e Palestinës si shtet. Ky zhvillim u bë veçanërisht i dukshëm përmes iniciativës së përbashkët të Francës dhe Arabisë Saudite, që synon zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze dhe realizimin e zgjidhjes me dy shtete.
Paralelisht, më 23 shtator 2025, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, organizoi në selinë e Kombeve të Bashkuara një takim me përfaqësues të shtatë vendeve të mëdha muslimane — Turqisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Pakistanit, Indonezisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe — me synim ndalimin e gjenocidit në Gaza. Më 29 shtator, Trump shpalli “Planin e Gazës”, i përbërë nga 21 pika. Ky plan parashikon ndalimin e gjenocidit, tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza, lirimin e robërve, çarmatimin e Hamasit dhe mosdetyrimin e popullsisë për t’u larguar nga territori. Sipas planit, do të krijohet gjithashtu një administratë teknokrate për qeverisjen e Gazës, e kufizuar në menaxhimin e shërbimeve bazë dhe çështjeve komunale, nën mbikëqyrjen e një komisioni ndërkombëtar të quajtur “Këshilli i Paqes”, në krye të të cilit pritet të jetë ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Benjamin Netanjahu deklaroi se e pranon planin e Trumpit. Megjithatë, sipas informacioneve të rrjedhura në media, plani pësoi ndryshime gjatë takimeve të Netanjahut me Jared Kushner-in dhe Steve Witkoff-in, duke modifikuar disa nga pikat e diskutuara më parë me liderët muslimanë. Pas shpalljes së planit, Turqia, Egjipti dhe Arabia Saudite, së bashku me disa vende të tjera, shprehën mbështetjen e tyre, ndërsa edhe Hamasi deklaroi pak ditë më vonë se e pranonte planin.
Trumpi, duke njoftuar pranimin e planit nga Hamasi, kërkoi që Izraeli të ndalte operacionet ushtarake në Gaza. Megjithatë, regjimi izraelit vazhdoi për një kohë veprimet ushtarake dhe sulmet. Vetëm si rezultat i presionit të ushtruar nga SHBA, Izraeli u detyrua të ndalonte operacionin në veri të Gazës.
Më pas, në Sharm El-Sheikh të Egjiptit u zhvilluan bisedime indirekte midis Hamasit dhe Izraelit, me ndërmjetësimin e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit. Si rezultat, palët ranë dakord për fazën e parë të armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Kjo fazë parashikon tërheqjen e forcave izraelite deri në një vijë të përcaktuar dhe shkëmbimin e robërve. Brenda 72 orëve nga tërheqja, Hamasi liroi 20 robër izraelitë, ndërsa Izraeli liroi rreth 1960 të burgosur palestinezë.
Më 13 tetor, të dyja palët përmbushën detyrimet e tyre. Menjëherë pas kësaj, Trumpi vizitoi Izraelin dhe mbajti një fjalim në Knesset, ku deklarata e tij se “lufta ka përfunduar” u interpretua si një paralajmërim ndaj mundësisë së shkeljes së armëpushimit nga ana e Izraelit.
Egjipti organizoi gjithashtu një samit ndërkombëtar në Sharm El-Sheikh, me pjesëmarrjen e mbi 20 vendeve, ku SHBA, Turqia, Egjipti dhe Katari nënshkruan marrëveshjen si vende garantuese.
Në analizë të përgjithshme, ndalimi i përkohshëm i gjenocidit dhe arritja e armëpushimit janë rezultat i disa faktorëve: rezistenca e popullit palestinez, solidariteti ndërkombëtar në rritje, presioni politik nga SHBA, qëndrimet e vendosura të vendeve muslimane, si dhe pamundësia e Izraelit për të përkthyer veprimet ushtarake në fitime politike. Po ashtu, njohjet ndërkombëtare të Palestinës dhe rritja e presionit publik global kanë luajtur rol të rëndësishëm.
Megjithatë, vetë përmbajtja e planit paraqet probleme serioze. Shumë dispozita janë në favor të Izraelit dhe fokusohen në “çrrënjosjen e terrorit” nga Gaza, pa adresuar lirinë dhe sigurinë e palestinezëve. Plani injoron faktin se burimi i konfliktit është pushtimi dhe e redukton problemin në çarmatimin e palestinezëve. Gjithashtu, ai nuk ofron garanci konkrete për të drejtat politike dhe sovranitetin e Palestinës, duke u kufizuar kryesisht në ndihma ekonomike dhe humanitare.
Për më tepër, plani krijon hapësirë për rikthimin e koncepteve si mandati ndërkombëtar dhe mundëson vazhdimin e pranisë ushtarake izraelite në disa zona. Mungesa e qartësisë në dispozita i jep Izraelit fleksibilitet të madh interpretimi dhe zbatimi.
Pavarësisht këtyre mangësive, plani ka arritur dy rezultate të rëndësishme: ndalimin e përkohshëm të gjenocidit dhe pengimin e zhvendosjes masive të palestinezëve nga Gaza. Këto dy elemente kanë rëndësi jetike për mbijetesën dhe vazhdimësinë e popullsisë palestineze në territorin e saj.
Megjithatë, për sa kohë që pushtimi vazhdon, çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme mbetet e destinuar të dështojë. Problemet strukturore të konfliktit — përfshirë politikat e dëbimit, ndryshimet demografike dhe shkatërrimin sistematik të territoreve palestineze — nuk mund të zgjidhen pa adresuar rrënjën e tyre: pushtimin. /Tesheshi.com/
Kamal Alaqad ka përfunduar studimet bachelor në Drejtësi në Universitetin Islamik të Gazës në vitin 2013 dhe më pas masterin në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Muğla-s në Turqi. Aktualisht është doktorant në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë dhe punon si studiues në Fondacionin e Lindjes së Mesme (Ortadoğu Vakfı).
