Vlerësuar ndërkombëtarisht dhe e aftë të identifikojë plagjiaturën në mëse 100 kombinime të ndryshme gjuhësh, Crossplag posedon arkiva me 20 miliardë shkrime, 500 milionë dokumente dhe sistemi i zhvilluar prej tyre mund të analizojë 1000 fjalë brenda 100 sekondave.
Platforma e identifikimit të plagjiaturës Crossplag është blerë nga kompania Norvegjeze Inspera bëri të ditur ky i fundit përmes një njoftimi për mediat.
Themeluar nga Besart Kunushevci, Crossplag u shpall fitues i edicionit të dytë të akseleratorit rajonal të startupeve, Uplift Western Balkans.
Vlerësuar ndërkombëtarisht dhe e aftë të identifikojë plagjiaturën në mëse 100 kombinime të ndryshme gjuhësh, Crossplag posedon arkiva me 20 miliardë shkrime, 500 milionë dokumente dhe sistemi i zhvilluar prej tyre mund të analizojë 1000 fjalë brenda 100 sekondave.
“Duke përfshirë ekspertizën dhe teknologjinë e Crossplag, Inspera synon të përmirësojë më tej zgjidhjet e saj, secila prej të cilave fuqizon edukatorët dhe institucionet arsimore për të ofruar vlerësime autentike me lehtësi,” shkruante Inspera.
Inspera është një kompani themeluar në 1999 në Oslo të Norvegjisë dhe gradualisht është shndërruar në një lider botëror të vlerësimit dixhital duke punuar me mëse 150 institucione në mbarë botën. Kjo kompani zhvillon zgjidhje dixhitale vlerësimi për institucionet arsimore, organizatat dhe entitete në mbarë botën.
“Me inkorporimin e plotë të Crossplag në sistemin tonë dixhital të vlerësimit, klientët e Inspera mund të presin një integrim më të ngushtë të kontrollit të origjinalitetit dhe zbulimit të shkrimeve nga AI.”
“Crossplag është mjeti i parë dhe i vetëm për zbulimin e plagjiaturës që funksionon në një numër të madh gjuhësh, përfshirë përkthimet. Kështu punimet e studentëve do të mund të kontrollohen për origjinalitetin e tyre në disa gjuhë,” tha Inspera.
Në përgjigje të rritjes së popullaritetit të mjeteve AI me mbërritjen e ChatGPT, në Dhjetor të vitit të kaluar Crossplag lançoi produktin AI Content Detector i cili identifikonte tekstet e shkruara nga inteligjenca artificiale.
“Jemi të emocionuar ti bashkohemi Inspera dhe të dërgojmë origjinalitetin e zgjidhjeve tona drejt lartësive të reja,” tha themeluesi dhe CEO i Crossplag Besart Kunushevci.
“Ekipi ynë ka punuar në mënyrë të palodhur prej vitesh për të zhvilluar një teknologji të avancuar të zbulimit të plagjiaturës i cili mbulon disa gjuhë dhe përfshin inteligjencën artificiale. Gjithnjë i kemi dhënë prioritet privatësisë dhe sigurisë së të dhënave, vlera që na bashkojnë edhe me Inspera. Së bashku synojmë tu ofrojnë institucioneve në mbarë botën një alternativë të qëndrueshme për ruajtjen e integritetit akademik që përqendrohet tek inovacioni, privatësia e të dhënave dhe një qasje më holistike ndaj vlerësimeve.”
AI Content Detector u lançua më 19 Dhjetor dhe u bë i disponueshëm pa pagesë në mënyrë që të gjithë përdoruesit ta testonin për të kuptuar efikasitetin e tij. Mjeti u testua përballë një teksti gjeneruar nga ChatGPT dhe identifikoi me saktësi të lartë burimin e saj nga inteligjenca artificiale.
Crossplag është një shërbim i aksesueshëm për të gjithë përdoruesit, me plane falas por edhe me pagesë në varësi të nevojave të konsumatorit.
