Ballina Autorë Opinione Podcast-i si marketing politik

Podcast-i si marketing politik

Festim Rizanaj

Marshall McLuhan, një nga teoricienët më me ndikim të komunikimit, ka përpunuar një teori sipas së cilës zhvillimet e mjeteve teknike nuk janë gjë tjetër, pos zgjatime të aftësive njerëzore, qofshin këto fizike, mendore, shqisore etj.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prishtinë

Ashtu siç jemi njohur përmes rrjeteve të tyre sociale, Rama dhe Berisha kanë zgjedhur podcast-in, një mënyrë të re komunikimi për të qenë sa më pranë elektoratit. Përderisa Rama e quajti podcast-in e tij “Flasim”, duke synuar që të flas me protagonistë të fushave të ndryshme lirshëm dhe para të gjithëve, Berisha podcast-in e quajti “Përtej Politikës”, duke synuar që bashkëbisedimi të përqendrohet kryesisht në çështje jopolitike. Rama zhvilloi disa emisione, duke ftuar mysafirë të ndryshëm për të diskutuar tema të ndryshme, ndërsa Berisha ka publikuar vetëm një emision, ku fokusohet në jetën e tij me fokus fëmijërinë (bisedë jashtë politikës).

Podcast-i dhe politika

Bota digjitale ka ofruar mundësi të reja të komunikimit, si dhe platforma dhe hapësira të ndryshme. Podcast-i është njëra nga këto platforma ku nëpërmjet transmetimit me zë dhe video komunikohet në sferën digjitale. Podcast-i si format është bërë shumë i njohur kohëve të fundit duke ofruar kështu një formë të bashkëbisedimi të lirë, pa skenar dhe kufizime të caktuara të rrjedhës së emisionit. Pra, podcast-et janë përmbajtje të regjistruara dhe të transmetuara në internet, ku diskutohen tema nga më të ndryshmet dhe zhvillohen intervista me mysafirë të ndryshëm.

Mungesa e hierarkisë së emisioneve lë hapësirë që të diskutohen tema të ndryshme dhe të dalin informacione të padiskutuara në sferën publike dhe profesionale. Diskutimi i lirë në podcast u mundëson edhe mysafirëve që të shprehen më hapur dhe pa agjendë të caktuar apo tematikë në vete. Koha e bisedës nuk është e paracaktuar, por zakonisht preferohet që të mos kalohet 30-minutëshi, për shkak të rënies së interesimit. Megjithatë, ka edhe emisione në podcast që zgjasin edhe më gjatë, por edhe më shkurt. Koncepti i podcast-it ka filluar në vitin 2000 nga Tristan Lewis dhe Dave Weiner. Termi është produkt i bashkimit të fjalëve Pod (Portable Open Database) dhe Broadcast (transmetim).

Së fundi, edhe tek ne kanë filluar përgatitje dhe publikimi i emisioneve ose diskutimeve të ndryshme në formatin podcast. Këto diskutime janë të niveleve dhe publikuesve të ndryshëm, të cilët kanë sjellë një frymë të re në ekosistemin komunikues.

Politika ka qenë e lidhur me fjalën dhe komunikimin. Përcjellja e mesazheve efektive tek komunitetet dhe kuptimi i saktë i mesazheve të tyre janë elementë thelbësorë të të bërit politikë. Për Aristotelin, të flasësh për politikë është të bësh vetë politikën. Ndërkohë, që kjo qasje tërheq vëmendjen te uniteti i diskursit dhe veprimit. Ajo tregon edhe për pashmangshmërinë e politikës me komunikimin. Për shikuesit liberalë, komunikimi politik është metoda më efektive për t’u dhënë mesazhe të qeverisurve (ose elektoratit). Studimet e para në fushën e kërkimit të komunikimit masiv janë efektet e medias në audiencë dhe studime të orientuara drejt propagandës. Shfaqja e gazetave, masivizimi i shtypit dhe, më pas, përdorimi i imazheve lëvizëse shënon edhe fillimin e transformimit në komunikimin politik. Transmetimi televiziv, i cili u përhap gjerësisht pas Luftës së Dytë Botërore, ndërmjetësoi në plan të parë të vizualitetit dhe të kuptuarit e marketingut politik në komunikimin politik. Nuk kaloi shumë kohë që “apeli vizual dhe dëgjimor” i televizionit të përdorej për marketing politik.

Depërtimi i televizionit në shtëpitë tona jo vetëm që solli fjalimet politike në shtëpi, por solli edhe “apelin vizual” në plan të parë në komunikimin bindës. Fjalimi televiziv i kandidatit presidencial amerikan, gjeneral Eisenhower, drejtuar votuesve në vitin 1952, shihet si një pikë kthese që jo vetëm përcakton fatin e zgjedhjeve, por tregon edhe ndikimin e TV-së tek votuesit. Përballja e kandidatëve presidencialë amerikanë, Nixon dhe Kennedy, në televizion në vitin 1960 shihet si një tjetër pikë kthese në marketingun politik. Takimet televizive të dy liderëve, të quajtur “Debati i Madh”, e përcaktuan fatin e zgjedhjeve. Megjithëse Nixon-i ishte një politikan me përvojë dhe i mirë, Kennedy thuhet se i është dorëzuar paraqitjes së tij të gjallë dhe dinamike në ekran.

Televizioni është ende një nga platformat më të fuqishme, por në dekadat e fundit fenomene të tilla si rrjetet sociale – Barack Obama tërhoqi miliona njerëz me një fushatë specifike në vitin 2008 – dhe, së fundmi, podcast-et, po fitojnë gjithnjë e më shumë terren. Vetë Obama ishte një nga të parët që iu bashkua prirjes së podcasting-ut, ku së bashku me legjendën e muzikës Bruce Springsteen zhvilluan biseda të ndryshme të cilat u transmetuan si podcast nën emrin “Renegades: Born in the USA”, biseda të cilat u publikuan edhe si libër. Krahas Obama-s, edhe Bill Clinton-i ka publikuar një podcast edukativ që njihet me emrin “Why Am I Telling You This?”, si dhe podcast-i i Hillary Clinton i quajtur “You and Me Both”.

Ndërsa, një shembull kur podcast-i u përdor për marketing politik është podcast-i i kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismajli, i cili për të qenë me afër elektoratit kishte vendosur që problemet dhe nevojat e Prishtinës t’i diskutojë në formatin e podcast-it të quajtur “Podcast Prishtina”.

Politikanët janë vetë mesazhi

Marshall McLuhan, një nga teoricienët më me ndikim të komunikimit, ka përpunuar një teori sipas së cilës zhvillimet e mjeteve teknike nuk janë gjë tjetër, pos zgjatime të aftësive njerëzore, qofshin këto fizike, mendore, shqisore etj. Kështu, për shembull, rrota është zgjatim i këmbëve, telefoni është zgjatim i veshit, televizori është një zgjatim kompleks i shqisave, i cili rrit dhe transformon komunikimin, kështu që njeriu u përshtatet zgjatimeve të veta, kështu zgjatimi kthehet në vetë mesazhin.

Edhe podcast-i konsiderohet një nga zgjatimet e zhvillimit të fundit teknologjik, i cili po e përcakton mënyrën e komunikimit në sferën digjitale. Kështu, edhe podcast-i është vetë mesazhi, pra vetë i përcakton rregullat e komunikimit.

Siç u cek edhe më lart, politika është zhvilluar në media, duke iu përshtatur asaj. Kështu, media ka transformuar jo vetëm mesazhin politik, por zhvillimin e politikës në përgjithësi. Edhe podcast-i me natyrën e funksionimit mesazhin e vë në plan të dytë, duke i lënë hapësirë bisedës së pastrukturuar.

Sipas, Guillem Suau, profesor në Universitetin “Lleida”, perceptimi i intimitetit midis dërguesve dhe marrësve për shkak të tonit të tij më informal është grepi kryesor i podcast-it. “Aftësia për të filtruar mesazhet nuk është plotësisht e fokusuar në atë që merret (pranohet) dhe kjo mund të ndihmojë të merren në mënyrë të pandërgjegjshme mesazhe që mbeten në mendjen tonë.”, e përshkruan Suau duke menduar për “potencialin” e podcast-it për përdorim politik.

Gjëja tjetër me rëndësi e këtij formati është të shohësh se si shkëmbehen rolet dhe politikanët bëhen gazetarë. Një element që Suau e njeh si rrezik është rrjedha e informacionit: “Kur një politikan e zë këtë rol, ai e bën këtë pa ndjekur kriteret gazetareske”. Pra, politikani e përcakton se çka do të diskutohet, pa ndërmjetësimin e gazetarit dhe pyetjeve të tij që do t’i interesonte publikut e jo politikanit. Pra, ky format në fakt ofron hapësirë për marketing politik.

Gazetarët e patën kritikuar kryeministrin e asaj kohe, Boris Johnson pasi hynte shpesh live në Facebook dhe Twitter për të komunikuar me qytetarët, duke iu shmangur gazetarëve. Gazetari Nick Robinson e cilësoi këtë veprim si “formë propagande” dhe jodemokratike duke theksuar faktin se “është një rrezik i madh që t’i lejohet një lideri partie t’i transmetojë programet e tij”.

Skenaristi i podcast-it Mas, Oriol Llop, shpjegon se ish-presidenti dëshiron “të sjellë vlerat nga përvoja e tij politike e të gjitha viteve në radhën e parë” dhe shton se ky format i ri “lejon një bisedë më të qetë, me më pak tension dhe në të njëjtën kohë më pak dëshirë për të ditur se kush fiton”.

Një prodhues i formatit podcast-it thekson faktin se ky format “krijon një hapësirë ​​reflektimi ku protagonisti është i ftuari dhe ku imazhi i politikanit që dëgjon tashmë ia vlen”.

Sali Berisha gjerë më tani ka publikuar një episod të podcast-it të tij duke folur jetën e tij me fokus fëmijërinë e tij. Ndërsa, kryeministri Rama ka publikuar disa episode me mysafirë të ndryshëm. Episode të përgatitura më shumë në stilin e marketingut politik sesa propagandistik. Ashtu siç e thekson edhe Ergys Mërtiri, “Rama nuk ka mesazh dhe as që ka nevojë të ketë. Ai nuk përcjell asnjë kumt, mjafton vetëm oratoria që xhiron bosh në mënyrë estetike. Ai nuk prodhon asgjë, por marketon produktin e vet imagjinar, i cili vlerësohet në bazë të ambalazhit e jo të përbërjes së munguar. Gjuha e Ramës nuk nxit për reflektim apo argumente, por vetëm ngulit tek dëgjuesi gjykime të thjeshta, për të krijuar një bindje. Rama nuk transmeton asgjë, gjithçka që ai përcjell fillon dhe mbaron tek vetë transmetimi. Ai është vetë mesazhi dhe ky mesazh është vetë dhe vetëm të shfaqurit e tij. Ekspozimi është gjithçka”. Mënyra më e lehtë dhe më e mirë për ta bërë këtë është podcast-i i nisur nga vetë ai, si marketing politik.

Exit mobile version