Policia Metropolitane e Londrës njoftoi sot se pjesëtarët e policisë do t’i japin përparësi mbledhjes së provave, në vend të arrestimeve, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që e shpalli të paligjshëm ndalimin e organizatës “Palestine Action” nga qeveria britanike sipas legjislacionit për terrorizmin, transmeton Anadolu.
Gjykatësit thanë se ndalimi ishte “joproporcional” dhe se “natyra dhe shkalla e aktiviteteve të saj që bien brenda përkufizimit të terrorizmit nuk kishin arritur ende nivelin, përmasën dhe vazhdimësinë që do të justifikonin shpalljen e saj të ndaluar”.
Megjithatë, grupi do të mbetet i ndaluar për momentin për të lejuar argumente të mëtejshme ligjore. Qeveria tha se do ta apelojë vendimin.
Në një deklaratë të lëshuar pas vendimit të gjykatës, policia paralajmëroi se ndalimi i grupit mbetet në fuqi dhe se shprehja e mbështetjes për Palestine Action vazhdon të jetë vepër penale.
Megjithatë, Policia Metropolitane pranoi se “rrethanat e pazakonta” mund të shkaktojnë konfuzion te publiku lidhur me atë që do të ndodhë më pas.
Deklarata thekson se policët do të “vazhdojnë të identifikojnë shkeljet kur shprehet mbështetje për “Palestine Action”, por do të fokusohen në mbledhjen e provave për këto shkelje dhe personat e përfshirë, për të krijuar mundësi për zbatim të ligjit në një fazë të mëvonshme, në vend që të bëjnë arrestime në moment”.
“Kjo është qasja më proporcionale që mund të ndërmarrim, duke marrë parasysh vendimin e gjykatës, ndërkohë që pranojmë se procedurat ende nuk kanë përfunduar plotësisht”, tha policia.
“Kjo qasje lidhet vetëm me shprehjen e mbështetjes për Palestine Action. Ne do të vazhdojmë të ndërhyjmë dhe të bëjmë arrestime kur shohim persona që kalojnë kufirin nga protesta e ligjshme në frikësim, dëmtim prone, përdorim dhune, nxitje të urrejtjes racore apo kryerje të veprave të tjera penale”, thuhet më tej.
“Palestine Action” u ndalua në korrik 2025 pasi anëtarë të grupit hynë në një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore dhe spërkatën me bojë dy avionë. Ndalimi u sfidua ligjërisht nga bashkëthemeluesja e grupit, Huda Ammori.
