Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët, kanë dhënë detaje lidhur me arrestimin e sotëm të pesë personave në Skenderaj, të dyshuar për krime lufte.
Në komunikatë bëhet e ditur se arrestimi lidhet me vrasjen e gjashtë civilëve në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Operacioni është kryer në kuadër të planit operativ “Syrigana”, i zhvilluar në gjashtë lokacione të ndara pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicë e Veriut.
Gjatë bastisjeve në objektet e banimit dhe ato përcjellëse janë konfiskuar:
* 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
* 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
* 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
* 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
* Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
