Ballina Lajmet Kosovë Policia e Kosovës thotë se situata në veri është stabile

Policia e Kosovës thotë se situata në veri është stabile

Policia e Kosovës përmes një komunikate në Facebook të shtunën ka thënë se situata në veri të vendit është stabile dhe ka ftuar qytetarët të jenë të qetë e bashkëpunues, pavarësisht se janë raportuar disa sulme nëpër komunat veriore gjatë ditës së sotme.

Policia thotë se po demanton deklaratat e përfaqësuesve serbë në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Policisë.

“Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore. Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së”, vijon reagimi i Policisë.

Është bërë e ditur që Policia dhe KFOR-i janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes në veri, ndërsa PK-ja po punon për identifikimin e personave që kryen sulme të njëpasnjëshme gjatë gjithë ditës së sotme.

“Andaj, sigurojmë të gjithë qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile dhe ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, përfundoi reagimi i Policisë.

Exit mobile version