Ballina Lajmet Kosovë Policia hap rast për nxitje të urrejtjes pas grafiteve nacionaliste në veri

Policia hap rast për nxitje të urrejtjes pas grafiteve nacionaliste në veri

Të dielën në Mitrovicën Veriore janë parë sërish grafite me mbishkrime nacionaliste serbe. Për këtë në Policinë e Kosovës thonë së është hapur rast për nxitje të urrejtjes ndërsa ekspertët e sigurisë thonë së organizatat serbe të shpallura terroriste, po tentojnë ta mbajnë veriun nën tension.

Grafitë të reja, u panë në Mitrovicën Veriore të dielën.

Kjo pasi edhe një herë, në muret e ndërtesave dikush la mbishkrime nacionaliste serbe.

Në to, me ngjyrat e flamurit serb, u shkrua “kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”

E poshtë këtij shkrimi, u la edhe firma e autorit.

Autorët e këtyre grafiteve të fundit në Mitrovicën Veriore, dyshohet të jenë, organizata tashmë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohur si “Brigada e Veriut”

Në lidhje me këtë, në Policinë e Kosovës, thonë se është hapur rasti për nxitje të urrejtjes.

“Në lidhje me grafitet që janë bërë në komunat e Veriut të Kosovës. Policia e Kosovës ka hapur rast për nxitje të urrejtjes. Nuk kemi të dyshuar e as të arrestuar”, ka thënë Veton Elshani.

Por, njohësit e sigurisë në këtë rajon, thonë se e gjitha kjo është vetëm një tentim që veriu të mbahet nën tensione.

“Kjo që i keni parë, këto grafite ju dhe ne si qytetarë neper lajme, këto kanë qenë edhe më përpara. Mirëpo, pyetja tash shtrohet kështu; ku janë Brigada e Veriut, grupi terrorist dhe mbrojtja civile? Ata nuk janë më në Republikën e Kosovës dhe nëse lajmërohen, ata do të arrestohen”, thotë Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.

Ai vlerëson se qytetarët serbë në veriun e Kosovës, kanë filluar të vetëdijesohen.

“Është tentim i pasuksesshëm dhe fakti pas nuk kanë sukses është vetëdijesimi matanë lumit Ibër është shumë i madh, ku qytetarët e Republikës së Kosovës të komunitetit serb dhe të tjerët, i kanë regjistruar të gjitha targat e automjeteve (në RKS) po e paguajnë edhe rrymën, edhe ujin, dhe të gjitha shërbimet e tjera”

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 qershor të vitit të kaluar, organizatën “Brigada e Veriut” dhe atë të “Mbrojta Civile” i shpalli organizata terroriste.

Exit mobile version