Policia e Kosovës ka njoftuar se qytetarëve po u dërgohen mesazhe të rreme në telefon për shqiptim të gjobave për shkelje në trafik.
Këto mesazhe sipas PK-së po dërgohen në emër të Autoritetit të Trafikut të Kosovës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që mos klikojnë në këto linqe dhe mos të bëjnë pagesa.
“Policia e Kosovës thekson nuk ka dërguar mesazhe të tilla si dhe: u bëjmë thirrje qytetarëve që: · të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë; · të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare; · të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve; · të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese; dhe nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar.
