Zyrtarë të lartë demokratë amerikanë që shqyrtuan humbjen e partisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 arritën në përfundimin se qëndrimi i administratës Biden ndaj Gazës ishte një faktor “negativ” për kandidaten dhe ish-nënkryetaren Kamala Harris, sipas një raporti të dielën nga faqja e lajmeve Axios, transmeton Anadolu.
Haris, e cila humbi ndaj Donald Trump, ishte përpjekur gjatë fushatës së saj të balanconte mbështetjen e fortë për Izraelin me thirrjet për armëpushim dhe shprehjet e shqetësimit për civilët palestinezë në Gaza dhe pengjet e mbajtura nga Hamasi.
Sipas Axios, zyrtarët demokratë të përfshirë në “autopsinë” paszgjedhore përcaktuan se mbështetja e administratës për Izraelin ndikoi negativisht në qëndrimin e partisë me grupe të caktuara votuesish, veçanërisht votuesit e rinj dhe progresistët.
Si pjesë e shqyrtimit, ndihmësit e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) mbajtën një takim me dyer të mbyllura me aktivistë nga Projekti i Politikave IMEU, një grup avokatie pro-palestineze. Përfaqësuesit e organizatës thanë se zyrtarët e DNC pranuan se të dhënat e brendshme e përshkruan politikën e administratës ndaj Gazës si një faktor “negociativ” në zgjedhje.
Projekti i Politikave IMEU e ka akuzuar DNC-në për mbajtjen sekrete të raportit pjesërisht për shkak të konluzioneve të tij në lidhje me Izraelin. Megjithatë, zëdhënësi i DNC-së, Kendall Witmer, e mohoi akuzën.
Zyrtarët e partisë njoftuan vitin e kaluar se nuk do ta publikonin auditimin, duke thënë se bërja publike e tij mund të rrezikonte përpjekjet për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Axios raportoi se verifikoi në mënyrë të pavarur se zyrtarët që kryenin rishikimin besonin se çështja dëmtonte performancën zgjedhore të partisë.
E pyetur për koment nga Axios, një ndihmëse e Harris potencoi vërejtjet e fundit që ajo bëri gjatë një turneu për kujtimet e saj 107 Ditë, ku ajo tha se administrata “duhet të kishte bërë më shumë” dhe “duhet të kishte folur publikisht” duke kritikuar mënyrën se si kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e zhvilloi luftën.
