Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar sot ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, ka njoftuar Presidenca e Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Ndryshimet u propozuan disa ditë më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku përfshijnë ndryshime në disa dikastere kryesore, përfshirë edhe shkarkimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ministrja aktuale e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu është dekretuar për në postin e zëvendëskryeministres, ndërsa si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme diplomati Ferit Hoxha, post i mbajtur deri tani nga Elisa Spiropali.
Në postim e ministrit të Punëve të Brendshme është dekretuar ministri aktual të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa si ministër i Drejtësisë, Toni Gogu që aktualisht është ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Erjona Ismaili si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Enea Karakaçi do të jetë ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjetikës ndërsa Ermal Nufi është dekretuar si ministër i Mbrojtjes, post që mbahet aktualisht nga Pirro Vengu.
Ndërkohë, Begaj ka firmosur edhe dekretet e shkarkimit për ministrat Balluku, Spiropali dhe Vengu.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar duhet të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pas ceremonisë zyrtare të betimit në Presidencë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë vijnë pas zhvillimeve të fundit për çështjen ndaj Ballukut, e cila është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
