Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka bërë të ditur se të paktën 72 persona janë vrarë dhe 437 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në Liban që nga e hëna, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite goditi disa zona në Liban, përfshirë periferitë jugore të Bejrutit, pas lëshimit të raketave nga Hezbollahu mes përshkallëzimit rajonal pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Njësia për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë në Bejrut tha se ka regjistruar 403 “akte armiqësore” kundër Libanit që nga fillimi të hënën.
Ushtria izraelite gjithashtu lëshoi disa urdhra evakuimi për banorët libanezë teksa zgjeroi sulmet në të gjithë vendin.
Ministrja libaneze e Çështjeve Sociale, Haneen Sayed, tha se 83.847 persona të zhvendosur janë regjistruar në strehimore për shkak të paralajmërimeve izraelite për evakuim, duke theksuar se numri i qendrave të strehimit ka arritur në 399 në gjithë Libanin.
Izraeli ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun, të nënshkruar në nëntor të vitit 2024, duke kryer sulme pothuajse të përditshme që kanë lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.
Izraeli nisi ofensivën kundër Libanit në tetor të vitit 2023 dhe e përshkallëzoi atë në një luftë të plotë në shtator të vitit 2024, duke vrarë më shumë se 4 mijë persona dhe duke plagosur rreth 17 mijë të tjerë.
