Presidenti i Çekisë, Petr Pavel ka deklaruar se siguria e Izraelit nuk duhet të vijë në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera në Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për qasje më të gjerë rajonale ndaj paqes, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga “Radio Prag International”, Pavel tha se sigurimi i stabilitetit afatgjatë në të gjithë rajonin duhet të jetë prioritet, si dhe theksoi se është e rëndësishme të mbështeten në mënyrë aktive të gjitha iniciativat që synojnë përfundimin e konfliktit.
Këto komente vijnë teksa Republika Çeke vazhdon të shprehë mbështetje të fortë për Izraelin.
Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu falënderoi ministrin çek të Punëve të Jashtme, Petr Macinka dhe kryeministrin Andrej Babish për atë që e përshkroi si mbështetje të vazhdueshme të vendit.
Edhe ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar dje u takua me ministrin Macinka dhe e vlerësoi atë si “mik”. Ai gjithashtu e përshkroi Republikën Çeke si “një nga aleatët më të mëdhenj të Izraelit në botë”.
Qeveria çeke ka mbajtur një qëndrim të kahershëm mbështetës ndaj Izraelit, edhe pse në nivel ndërkombëtar po shtohen thirrjet për përpjekje për uljen e tensioneve dhe promovimin e sigurisë më të gjerë rajonale.
