Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u nis sot për në kryeqytetin saudit Riad për një samit të jashtëzakonshëm të përbashkët arabo-islam për të diskutuar situatën në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Avioni i tij u ngrit nga Aeroporti Esenboğa në Ankara në orën 9:30 të mëngjesit me kohën lokale. Erdoğan shoqërohet nga Drejtori i Komunikimeve Fahrettin Altun, shefi i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Ibrahim Kalın dhe kryekëshilltari i presidentit, ambasadori Akif Çağatay Kılıç.
Mbretëria saudite do të jetë nikoqire e dy samiteve, të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).
Erdoğan do të marrë pjesë në Samitin e 8-të të Jashtëzakonshëm Islam për të diskutuar sulmet e Izraelit ndaj tokave të pushtuara palestineze, veçanërisht Gazës dhe popullit palestinez.
Përfaqësuesit e botës islame do të shkëmbejnë ide rreth hapave konkretë që do të ndërmerren në lidhje me zhvillimet e fundit.
Ai pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderët pjesëmarrës.
Prej ditësh, ushtria izraelite ka përshkallëzuar sulmet e saj kundër spitaleve në Rripin e Gazës, duke ndërmarrë sulme të dhunshme që çuan në vdekje dhe plagosje, përveç shqetësimit të madh për fatin e personave të zhvendosur në ato spitale.
Të premten në mbrëmje, avionët izraelitë intensifikuan sulmet e tyre kundër spitaleve në Rripin e Gazës. Ata vazhduan sulmet e tyre në afërsi të Spitalit Al-Shifa, Spitalit Indonezian, Spitalit Al-Awda, Spitalit Al-Quds dhe Spitalit të Fëmijëve Al-Rantisi.
Të paktën 11.078 palestinezë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i konfliktit pas një operacioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
