Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet të zhvillojë të martën një vizitë zyrtare në Addis Abeba, me ftesë të kryeministrit etiopian Abiy Ahmed. Kjo është vizita e parë e Erdoganit në Etiopi pas më shumë se 10 vitesh.
Vizita zhvillohet në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve zyrtare mes dy vendeve, që datojnë që nga hapja e ambasadës së Turqisë në Addis Abeba. Mediat shtetërore dhe private etiopiane e kanë cilësuar udhëtimin si një hap të rëndësishëm diplomatik dhe një forcim të lidhjeve dypalëshe.
Sipas raportimeve, pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi në fusha si tregtia, infrastruktura dhe siguria, ndërsa Turqia synon të zgjerojë rolin e saj diplomatik dhe ekonomik në Bririn e Afrikës dhe rajonin e Detit të Kuq.
Ambasadori i Turqisë në Etiopi, Berk Baran, tha se vizita shënon “ngritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve tashmë të forta” mes dy vendeve, duke theksuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe shoqëror. /mesazhi
